Sociale 23 August 2025, 11:11 Nga VNA

Parajsa që u kthye në ferr. Si eksperimenti i minjve në ‘Universi 25’ parashikoi me saktësi krizën e roleve, izolimin dhe boshllëkun që rrezikojnë edhe njerëzimin

Ndaje në Whatsapp
Parajsa që u kthye në ferr. Si eksperimenti i minjve në

Në vitin 1970, biologu amerikan John B. Calhoun nisi një nga eksperimentet më të njohura të sjelljes shoqërore të kafshëve, të cilin e quajti “Universi 25”. Qëllimi i tij ishte të kuptonte se çfarë ndodh me një komunitet kur i plotësohen të gjitha nevojat materiale, pa asnjë mungesë dhe pa ndonjë kërcënim nga jashtë.

Për këtë, Calhoun ndërtoi një hapësirë të madhe të mbyllur, të pajisur me burime të pakufizuara ushqimi dhe uji, me shumë vende për strehim dhe pa armiq natyrorë. Në këtë mjedis vendosi katër çifte minjsh. Fillimisht gjithçka funksionoi: minjtë u shumuan me ritme të shpejta, popullata lulëzoi dhe koloninë e mbuloi gjallëria. Brenda disa muajsh, numri i tyre arriti në qindra.

Por pas rreth 315 ditësh, ndryshimet u bënë të dukshme. Shkalla e riprodhimit filloi të binte dhe sjelljet shoqërore nisën të prisheshin. Meshkujt dominues krijuan hierarki të forta, ndërsa të dobëtit u shtynë në periferi dhe u izoluan. Femrat, të stresuara nga mbipopullimi dhe agresioni, nisën të braktisnin të vegjlit, ndërsa disa madje i sulmonin.

Në këtë periudhë lindi edhe fenomeni i quajtur “The Beautiful Ones”. Ishte një grup minjsh që nuk përfshiheshin në asnjë rol shoqëror: nuk luftonin, nuk shumoheshin dhe nuk kujdeseshin për koloninë. Ata jetonin vetëm për të ngrënë, për të fjetur dhe për të kujdesur për pamjen e tyre. Ndryshe nga të tjerët, ishin gjithmonë të pastër dhe pa shenja lufte, por ishin të shkëputur plotësisht nga funksionet e një shoqërie.

Me kalimin e kohës, shkalla e lindjeve ra në zero. Çdo mi i porsalindur ngordhte dhe nuk kishte më asnjë gjeneratë të re. Sjelljet e dhunshme, kanibalizmi dhe devijimet e tjera u përhapën gjithnjë e më shumë. Në kulmin e tij, “Universi 25” arriti rreth 2.200 minj, por më pas numri vetëm ra. Në vitin 1973, lindi miu i fundit – dhe pak muaj më vonë, eksperimenti përfundoi me zhdukjen e plotë të kolonisë, pavarësisht bollëkut të ushqimit dhe ujit.

Calhoun e përsëriti këtë provë shumë herë dhe rezultati ishte gjithmonë i njëjtë: një shoqëri që jeton vetëm mbi bollëk dhe humbet rolet e saj përfundon në kolaps. Ky eksperiment u bë një metaforë e fuqishme për botën njerëzore, duke ngritur pyetjen: a mjafton mirëqenia materiale për të mbajtur gjallë një shoqëri, apo është e nevojshme gjithashtu struktura, qëllimi dhe sfida?

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme