Sociale 17 November 2025, 16:35 Nga VNA

“Paqja fiskale”, Qeveria përgatitet të falë miliarda lekë borxhe ndaj tatimeve e doganave

Ndaje në Whatsapp

“Paqja fiskale”, Qeveria përgatitet të falë miliarda

Qeveria shqiptare planifikon të falë detyrimet e prapambetura të tatimpaguesve në tatime dhe dogana dhe të lidhë marrëveshje ‘paqeje’ për vetdeklarimet me anë të nismës për “Paqe fiskale” e parashikuar në ligjet financiare që shoqërojnë projektbuxhetin për vitin 2026.

“Paqja fiskale” vjen me anë të dy projektligjeve, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë” dhe “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”.

Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë raportimit të hënën në Komisionin e Ligjeve dhe Administratës Publike tha se procesi nuk ishte “amnisti fiskale”, por përmirësim i marrëdhënieve mes tatimpaguesve dhe administratës tatimore.

“Ne nuk jemi duke ndërmarrë një amnisti fiskale, nëpërmjet paqes fiskale nuk falim asnjë përgjegjësi penale dhe nuk garantojmë askënd që është nën hetim apo procese gjyqësore”- tha ai, duke shtuar se me anë të faljes synohet mbyllja e kapitullit të borxheve të vjetra, të parashkruara.

Marrëveshja e paqes fiskale do të jetë vullnetare dhe do të shtrihet nga viti 2026 deri në 2028 dhe synon, sipas ministrit, “korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta të bizneseve dhe parashikon përshkallëzim në ulje të normave tatimore”.

Sipas tij, marrëveshja ofron përshkallëzim në ulje të normave tatimore. Ndërkohë që përgatitet “paqja’, ministri tha se administrata po vijon mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore deri në masa që shkojnë në konfiskime, bllokime të llogarive bankare dhe shitje të aseteve.

Fshirja e plotë e detyrimeve do të bëhet vetëm për ato borxhe që kanë mbi 10 vite të papaguara. Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026. Kush paguan 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur i fshihet automatikisht.

Gjobat dhe kamatvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht për të gjitha kategoritë. Sipas ministrit detyrimet e papaguara mbi 10 vite përbëjnë 20% të borxhit, ndërsa detyrimet nga 5 deri 10 vite përbëjnë gati gjysmën e borxhit, 45% të totalit. Relacioni i projektligjit ofron një analizë për gjendjen e borxhit deri në dhjetor 2024, sipas së cilës rezulton se ka 202 387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara, në shumën 162 miliardë lekë.

Të dhënat e qeverisë tregojnë se detyrimet tatimore të papaguara mbi 10 vjet janë në shumën 29.6 miliardë lekë, nga 5 deri në 10 vjet, në shumën 75.1 miliardë lekë dhe nga 0 deri në 5 vjet në shumën 57.8 miliardë lekë.

Sipas relacionit, në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për kontributet përcaktohet vetëm fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014.

Deputetët e opozitës ngritën pikëpyetje se si falja do të përfshinte raste që janë në procese gjyqësore me administratën tatimore dhe kritikuan sjelljen e qeverisjes socialiste ndaj biznesit të vogël. “Qeveria e ka pasur paqen fiskale me biznesin e madh sepse pa taksa janë ata që kanë kazino apo kanë jahte, por këto gjoba janë akumuluar me tregtarët e vegjël”- tha deputeti i PD-së Gent Strazimiri.

Sipas tij në fakt po falen “gjobat arbitrare” dhe pretendoi se në 202 mijë tatimpagues nuk ka tatimpagues të mëdhenj./BIRN/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme