Sociale 24 September 2025, 08:01 Nga VNA

Një arsye për emigrimin, të rinjtë shqiptarë, të dytët në Europë për mbipopullimin e banesave

Ndaje në Whatsapp
Një arsye për emigrimin, të rinjtë shqiptarë, të

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të mbipopullimit të banesave tek të rinjtë, duke reflektuar një sfidë serioze sociale dhe ekonomike që lidhet ngushtë me tregun e pasurive të paluajtshme dhe të ardhurat, ndërsa po kthehet në një faktor nxitës për emigracionin.

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, për vitin 2021 – të fundit e disponueshme për Shqipërinë – 70.3% e të rinjve shqiptarë (15–29 vjeç) jetojnë në kushte mbipopullimi, që nënkupton se një familje nuk ka mjaftueshëm dhoma në raport me numrin e anëtarëve.

Ky tregues e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në Europë, pas Malit të Zi (72.5% në 2022). Në Serbi kjo shifër është 60.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut (2022) 43.4%. Për Kosovën nuk ka të dhëna të raportuara.

Në kontrast të fortë, mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 26.5%, ndërsa në zonën euro zbret në 22.7%, sipas të dhënave që janë përditësuar për vitin 2024.

Vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore shfaqin nivelet më të ulëta të mbipopullimit të banesave për të rinjtë: Holanda vetëm 4.3%, Finlanda 7.7%, Danimarka 8.1% dhe Gjermania 10.5%. Po ashtu, edhe vendet e zhvilluara të Europës Qendrore kanë përqindje ndjeshëm më të ulëta se Shqipëria, si Austria me 12.7% apo Franca me 12.5%.

Krahasimi i këtyre shifrave tregon hendekun e madh mes vendeve të Ballkanit dhe atyre të BE-së, ku standardet e strehimit për të rinjtë janë dukshëm më të larta.

Vendet e Europës Qendrore e Veriore kanë nivele shumë më të ulëta: Suedia 29.8%, Çekia 26.2% dhe Hungaria vetëm 23.6%.

Një faktor që ushqen emigracionin

Mbipopullimi i banesave tek të rinjtë në Shqipëri lidhet ngushtë me dy faktorë: të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta të apartamenteve.

Të dhëna të publikuara më herët nga Monitor bazuar në Numbeo tregojnë se Shqipëria ka çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë në raport me fuqinë blerëse.

Kjo e bën pothuajse të pamundur për shumë të rinj të blejnë një banesë, duke i detyruar të vazhdojnë të jetojnë në kushte të mbingarkuara me familjen.

Në kontrast, me çmimet e larta të apartamenteve, që në Tiranë fillojnë nga 1500 euro për metër katror, pagat vijojnë të jenë më të ulëtat në rajon e Europë. Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Megjithatë, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.

Kombinimi i pamundësisë për të siguruar një banesë të përshtatshme dhe mungesës së alternativave për jetesë të pavarur është një nga arsyet që shtyn shumë të rinj drejt emigracionit.

Përballë një tregu vendas të paarritshëm dhe kushteve të mbingarkuara, shumë shqiptarë të moshës së re shohin vendet e tjera europiane si një mundësi më të mirë për jetesë, punësim dhe banim.

Të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se nga viti 2008 deri në 2024 rreth 1 milionë shqiptare kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj, që largohen në kërkim të një jete më të mirë.

Ky realitet e bën të domosdoshme që politikat publike të përqendrohen në krijimin e kushteve më të favorshme për strehimin e të rinjve.

 

Përkufizim i Eurostat mbi mbipopullimin

Shkalla e mbipopullimit (overcrowding rate) përcaktohet si përqindja e popullsisë që jeton në një familje të mbipopulluar. Një person konsiderohet se jeton në kushte të mbipopulluara nëse banesa nuk ka të paktën këtë numër dhomash:

-një dhomë për familjen;

-një dhomë për çdo çift në familje;

-një dhomë për çdo person të vetëm mbi 18 vjeç;

-një dhomë për çdo dyshe personash të vetëm të së njëjtës gjini, të moshës 12–17 vjeç;

-një dhomë për çdo person të vetëm 12–17 vjeç që nuk përfshihet në kategorinë e mëparshme;

-një dhomë për çdo dy fëmijë nën 12 vjeç.

Marrë nga Monitor.al

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme