Sociale 14 March 2026, 12:33 Nga VNA

Ironia e taksës së qarkullimit të naftës, 220 milionë euro që nuk dihet ku shkojnë

Ndaje në Whatsapp
Ironia e taksës së qarkullimit të naftës, 220 milionë

Taksa e qarkullimit mbi karburantin u vendos në Shqipëri në vitin 2012. Fillimisht ishte vetëm 7 lekë për litër, por u rrit gradualisht në vitet pasuese deri në vitin 2015, kur arriti nivelin prej 27 lekësh për litër, që mbetet i pandryshuar edhe sot.

Ideja që përdoruesit e rrugëve të kontribuojnë për infrastrukturën nuk ishte e re. Ajo ishte diskutuar që në kohën e projektit të Rrugës së Kombit, kur u argumentua se një pjesë e kostos së ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve duhet të mbulohej nga vetë përdoruesit e tyre.

Më vonë, kjo filozofi u institucionalizua në formën e taksës së qarkullimit mbi karburantin, që sot paguhet nga çdo konsumator sa herë furnizon automjetin. Qëllimi zyrtar ishte i qartë: përdoruesit e rrugëve të kontribuonin për financimin kryesisht të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore.

Taksa mblidhet për çdo litër benzine apo nafte të shitur dhe konsiderohet një tarifë për përdorimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor.

Në praktikë, ajo është bërë një nga komponentët kryesorë të barrës fiskale mbi karburantin, së bashku me akcizën dhe TVSH-në. Me rritjen e konsumit të karburantit ndër vite, janë rritur edhe të ardhurat që buxheti mbledh nga kjo taksë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm në vitin 2025 u arkëtuan rreth 220 milionë euro nga taksa e qarkullimit.

Këtu nis paradoksi. Nuk ka pothuajse asnjë transparencë se si përdoren këto fonde. Në teori, ato duhet të shkojnë për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrjetit rrugor. Në praktikë, nëse rrugët do të kishin gojë të ankoheshin, shumë prej tyre do të tregonin një histori krejt tjetër.

Autostrada Tiranë – Durrës, nyja kryesore që lidh qendrën ekonomike të vendit, prej vitesh është e mbushur me gropa dhe arnimet e asfaltit zgjasin vetëm pak kohë. Edhe në rrugë të tjera të rëndësishme, riparimet bëhen shpesh përpara se investimet të kenë përfunduar plotësisht.

Rruga e Kombit është një tjetër shembull i kësaj ironie fiskale. Riparimin dhe mirëmbajtjen e saj përdoruesit e paguajnë vetë përmes tarifës së kalimit, e cila vazhdon të llogaritet me kursin e vjetër prej 138 lekësh për një euro, kur sot monedha europiane këmbehet rreth 96 lekë.

Taksat e larta janë një nga arsyet pse karburanti në Shqipëri rezulton ndër më të shtrenjtët në rajon kur matet në raport me të ardhurat. Në terma nominalë, nafta mund të kushtojë 15-30% më lirë se në disa vende të tjera të rajonit. Por kur çmimi krahasohet me fuqinë blerëse, situata përmbyset: për qytetarët shqiptarë, karburanti rezulton deri në dy herë më i shtrenjtë.

Kjo nuk është e vetmja arsye. Një tjetër problem i vazhdueshëm është reagimi shumë i shpejtë i çmimeve kur nafta shtrenjtohet në bursat ndërkombëtare dhe ulja shumë më e ngadaltë kur çmimet bien.

Sjellja është reflektuar edhe në ecurinë e normave të fitimit të tregtuesve kryesorë të karburanteve në vend, të cilat rriten kur cikli i çmimeve është në rënie.

Tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme po ndikojnë sërish në tregjet globale të energjisë. Historia ka treguar se krizat e naftës të lidhura me konflikte gjeopolitike zakonisht zgjasin më shumë sesa pritet dhe luhatjet e çmimeve mund të jenë të forta dhe të paparashikueshme.

Në një situatë të tillë, çdo rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare përkthehet shumë shpejt në rritje të çmimit në pompë edhe për konsumatorët shqiptarë, siç ndodhi ditët e fundit, kur nafta për pak ditë u rrit nga 175 në 200 lekë për litër.

Përballë kësaj situate, reagimi më i zakonshëm i qeverive ka qenë ndërhyrja administrative në treg. Në Shqipëri, kjo u provua me krijimin e Bordit të Transparencës, një mekanizëm që në teori duhej të stabilizonte çmimet, por që në praktikë krijoi shumë pikëpyetje për mënyrën se si funksiononte tregu.

Në vend që të rikrijohen struktura të reja administrative si një lloj “Bordi 2” që fillimisht mund të ulë çmimet dhe më pas të bëhet pjesë e problemit (kartelit), masa më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë do të ishte ulja e barrës fiskale mbi karburantin.

Nëse një taksë u vendos për të financuar rrugët dhe sot nuk ka transparencë për përdorimin e saj, atëherë pyetja është e thjeshtë: pse duhet të vazhdojë të paguhet në të njëjtin nivel? Në një kohë kur çmimet e energjisë janë të paqëndrueshme dhe fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e ulët, lehtësimi i taksave mbi karburantin do të ishte mënyra më e drejtpërdrejtë për të ulur koston që paguajnë familjet dhe bizneset.

Në fund të fundit, nëse qeveria nuk mund të ulë çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare, të paktën mund të ulë taksat mbi të!

Video

Grumbullimi i të rinjve dhe studentëve ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kësaj proteste pritet t'i bashkohen edhe përfaqësues e mbështetës të PD, të cilët e kanë nisur nga Kryeministria. Situata paraqitet aktualisht e qetë dhe pa incidente. Forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke përfshirë edhe praninë e autobotave për mbarëvajtjen e rendit publik.

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme