Sociale 25 September 2025, 17:37 Nga VNA

‘Investimi historik’ i qeverisë e lë Matin të mbytur nga plehrat

Ndaje në Whatsapp
‘Investimi historik’ i qeverisë e lë Matin të mbytur

Gjatë një vizite në Burrel në tetor të vitit 2022, kryeministri Edi Rama inspektoi një investim të qeverisë për rehabilitimin e fushës së mbetjeve në Bashkinë e Matit dhe e vlerësoi atë si ‘një transformim historik”.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme. Ky transformim i madh me sistemimin e mbetjeve është historik, sepse kjo zonë ka qenë e mbytur nga plehrat,” tha Rama, ndërsa kërkoi një kulturë të re të pastrimit.

Projekti për rehabilitimin e vendepozitimit të mbetjeve në bashkinë e Matit u krye përmes një investimi prej 40 milionë lekësh të Ministrisë së Mjedisit, por tre vjet më pas, gangrena me trajtimin e mbetjeve vazhdon e pandryshuar.

BIRN e vizitoi venddepozitimin në të dalë të qytetit të Burrelit në fillim të shtatorit dhe vëzhgoi një pirg mbeturinash të bëra njësh me rrugën, pasi investimi i ri kishte bërë bark dhe i pengonte makinat e bashkisë që t’i shkarkonin mbetjet brenda rrethimit.

Mes pirgjeve të plehrave, disa banorë rrëmojnë në kërkim të materialeve të riciklueshme me të cilat sigurojnë jetesën.

“Makina nuk mund t’i shkarkojë mbetjet në landfill, pasi ka rrëshqitur toka,” thotë njëri prej grumbulluesve. “Në qendër të landfillit ka plasur ujë, duke shkaktuar gropë,” shtoi më tej ai.

Ministria e Mjedisit kontraktoi kompaninë Alba Kontruksion për punimet dhe i mori ato në dorëzim, për t’ia kaluar më pas landfillin Bashkisë së Matit për administrim.

Por Bashkia vazhdon ta quajë fushën e mbetjeve venddepozitim dhe problemin e trajtimit të tyre ende të pazgjidhur.

“Në Bashkinë Mat momentalisht nuk përpunohen dhe nuk riciklohen mbetje. Ato vend-depozitohen në vend-depozitimin e rehabilituar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit… Bazuar dhe në planin lokal të menaxhimit të integruar të mbetjeve, jemi në pritje të një investimi dhe ristrukturimi të ri për menaxhimin e mbetjeve në rang qarku,” deklaroi Bashkia.

Nezir Rizvani, ish-kryetari demokrat i Bashkisë së Matit i tha BIRN se projekti për landfillin e Matit ishte i dështuar, “pasi u bë pa studim gjeologjik”.

“Tani aty kanë plasur ujrat nëntokësore, duke shkaktuar rrëshqitje dherash si dhe dëmtimin e njërës faqe të murit mbajtës.  Kështu situata e menaxhimit të mbetjeve, ka dalë totalisht jashtë kontrollit,” deklaroi ai.

Projekti i rehabilitimit të vendepozitimit të mbetjeve ngjalli fillimisht shpresë për bashkinë veriore të Matit, e cila i shkarkon ato në të njëjtin vend prej vitit 1997. Njësoj si në bashkitë e tjera të vendit, edhe në Mat mbetjet nuk trajtohen, por grumbullohen të pandara në burim dhe transportohen në venddepozitim.

Deputetja demokrate për qarkun e Dibrës, Denisa Vata i tha BIRN se i ashtuquajturi landfill nuk i plotëson kushtet mjedisore edhe pas parave të shpenzuara nga Ministria e Mjedisit për rehabilitimin e tij.

“Mbi ish-sipërfaqen e hapur ku hidheshin mbetjet në vijimësi, u ndërtua në vitin 2021 i ashtuquajturi landfill. Në tërësinë e këtij ndërtimi bëjnë pjesë vetëm dy mure mbajtëse në drejtimin veri -lindje, si dhe një shtresë rëre në bazën e tij dhe thuaj asgjë tjetër,” tha Vata.

Pavarësisht situatës së rënduar, Bashkia e Matit i tha BIRN përmes përgjigjes me shkrim se nuk kishte vështirësi financiare për menaxhimin e mbetjeve, pasi i siguronte ato nga të ardhurat që grumbullon nga tarifa e pastrimit.

Por përfaqësuesit lokalë të opozitës ngulmojnë se menaxhimi i mbetjeve është një nga problemet kryesore të bashkisë.

“Koshat e hedhjes së mbetjeve mungojnë, duke bërë kështu mbingarkimin e tyre. Ndërkohë kjo pengon edhe ndarjen në burim të mbetjeve,” tha Vata për BIRN.

“Më e rënda është se jo vetëm mbetjet e ngurta, por edhe ato spitalore bashkohen në koshat e përbashkët,” përfundoi ajo./Reporter.al

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme