Sociale 9 October 2025, 09:08 Nga VNA

Intervista me OLAF, si u keqpërdorën 33 mln eurot e BE nga fondet e IPARD

Ndaje në Whatsapp
Intervista me OLAF, si u keqpërdorën 33 mln eurot e BE nga fondet e

Gati dy vjet pas raportit hetues mbi mundësinë e keqpërdorimit të fondeve të Bashkimit Europian të destinuara për bujqësinë në Shqipëri, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka konfirmuar se hetimet kanë zbuluar parregullsi në zbatimin e programit IPARD.

Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, Salla Saastamoinen, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e OLAF, tha se “33 milionë euro fonde janë identifikuar si potencialisht të përdorura në mënyrë të papërshtatshme” dhe se “si pasojë, Komisioni Europian vendosi ngrirjen e fondeve IPARD për Shqipërinë, me një total prej 112 milionë eurosh, derisa të merren masat e nevojshme.”

“Ne, si Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, ndjekim paratë e Bashkimit Europian kudo që shkojnë edhe jashtë territorit të Unionit, në vendet kandidate si Shqipëria,” – tha Saastamoinen për Monitor.

Sipas saj, hetimi kishte për qëllim të identifikonte nëse kishte keqpërdorime të fondeve IPARD, të cilat synojnë mbështetjen e zhvillimit rural dhe modernizimin e bujqësisë shqiptare. “Hetuam dhe gjetëm prova që kishte parregullsi,” – theksoi ajo.

Raporti i OLAF i dërgoi Komisionit Europian rekomandime financiare dhe konstatime ligjore, por zbatimi i masave është në dorën e autoriteteve kompetente të BE-së dhe të qeverisë shqiptare.

“Ne nuk jemi ata që zbatojmë ndëshkimet. Roli ynë është të japim rekomandime dhe të sigurohemi që fondet e Unionit mbrohen. Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme për Bujqësinë në Komisionin Europian vendosi ngrirjen e fondeve derisa Shqipëria të ndërmarrë hapat e duhur,” – shpjegoi Saastamoinen.

Masat e marra në Shqipëri

Pas publikimit të gjetjeve, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur procedura për rikthimin e fondeve nga përfituesit që kanë rezultuar me shkelje. Sipas të dhënave publike, dhjetëra bizneseve u është kërkuar të kthejnë grantet IPARD, ndërsa për disa raste të veçanta janë dërguar dokumentet për ndjekje gjyqësore.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka miratuar Strategjinë Kombëtare Antimashtrim, një dokument të hartuar në bashkëpunim me OLAF.

“Ne kemi dhënë komente për rëndësinë e vlerësimit të rrezikut dhe krijimin e kanaleve të raportimit të parregullsive. Jemi të kënaqur që këto elemente janë reflektuar në versionin përfundimtar,” – tha Saastamoinen për Monitor.

Sipas saj, bashkëpunimi me autoritetet shqiptare “ka ardhur duke u përmirësuar”. Në fillim, sqaroi ajo, kishte paqartësi lidhur me kompetencat hetimore dhe procedurat, por tani komunikimi është më i qartë dhe strukturat shqiptare po ofrojnë mbështetje në terren.

Programi IPARD II, me një fond total prej 112 milionë eurosh, ishte ndër instrumentet kryesore të Bashkimit Europian për të mbështetur zhvillimin rural dhe bujqësinë shqiptare. Hetimet e OLAF kanë zbuluar parregullsi në mënyrën si janë dhënë grantet, përfshirë dyshime për kontrata të manipuluara dhe përdorim të fondeve për qëllime jashtë kritereve të përcaktuara./Monitor/

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme