Sociale 8 May 2026, 13:10 Nga VNA

I mbijetuari i hantavirusit: Ishte ferr mbi tokë

Ndaje në Whatsapp
I mbijetuari i hantavirusit: Ishte ferr mbi tokë

Lorne Warburton nuk kishte dëgjuar kurrë për hantavirusin deri tre vite më parë, kur përfundoi në spital i lidhur me aparatura që i mbanin jetën. Sot ai e përshkruan sëmundjen si “torturë” dhe “ferr mbi tokë”.

Kanadezi tregoi për BBC Outside Source se në mars të vitit 2023 filloi të ndihej keq me simptoma të ngjashme me Covid-in: dhimbje trupi, dhimbje të forta koke dhe lodhje ekstreme.

Por gjendja u përkeqësua shumë shpejt.

“Isha i mbuluar në djersë dhe nuk merrja dot frymë”, tha ai.

Pasi u lidh me aparaturat e mbështetjes jetësore, mjekët diagnostikuan hantavirusin. Ai kaloi rreth tre javë në spital.

“Shkalla e sëmundjes që kalova ishte ferr mbi tokë. Ishte torturë të kaloje diçka të tillë dhe pastaj të arrije të riktheheshe,” tha Warburton.

Në Gjermani, edhe Christian Ege përjetoi simptoma të ngjashme në vitin 2019. Fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një virozë stomaku, me të vjella dhe marramendje. Por analizat treguan se ishte infektuar me hantavirus.

Ai përfundoi në spital me insuficiencë renale dhe sepsë, ndërsa për disa ditë qëndroi në terapi intensive.

“Veshkat u rikuperuan normalisht, por kombinimi i infeksionit bakterial dhe viral në të njëjtën kohë ishte shumë shqetësues”, tregoi ai.

Të dy burrat janë mes të mbijetuarve të hantavirusit, disa variante të të cilit kanë shkallë vdekshmërie nga 20 deri në 40%.

Rastet e tyre po rikthehen në vëmendje pas shpërthimit të fundit në anijen turistike MV Hondius, ku deri tani kanë humbur jetën tre pasagjerë pasi anija u nis nga Argjentina për një udhëtim transatlantik.

Operatori i kroçerës konfirmoi se tre persona, mes tyre edhe një britanik, u transportuan në Holandë për trajtim mjekësor.

Britaniku, i identifikuar nga disa media si ish-polici 56-vjeçar Martin Anstee, raportohet të jetë në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë, Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore konfirmoi se dy shtetas britanikë po vetëizolohen në shtëpi pas ekspozimit të mundshëm ndaj virusit.

Hantaviruset, të quajtur sipas një lumi në Korenë e Jugut, nuk janë një sëmundje e vetme, por një familje virusesh. Sipas World Health Organization, ekzistojnë më shumë se 20 specie virale.

Virusi transmetohet zakonisht nga brejtësit përmes urinës dhe jashtëqitjeve të thata. Infektimi ndodh kryesisht kur grimcat e kontaminuara përhapen në ajër dhe thithen nga njeriu. Virusi mund të transmetohet edhe nga kafshimi i brejtësve.

Lorne beson se u infektua pasi pastroi një qilim në papafingo, ku kishte jashtëqitje minjsh.

Edhe Christian nuk e dinte se çfarë ishte hantavirusi derisa biologët zbuluan mostra pozitive në kopshtin e tij, ndërsa djali kishte gjetur një mi të ngordhur disa ditë më parë.

Aktualisht nuk ekziston një vaksinë e përhapur gjerësisht apo trajtim specifik antiviral për hantavirusin. Trajtimi bazohet kryesisht në kujdesin spitalor dhe mbështetjen e frymëmarrjes.

Pas daljes nga spitali, Lorne tha se iu deshën një vit e gjysmë për t’u rikuperuar plotësisht.

“Rikuperimi ishte shumë i ngadaltë. Bën dy hapa përpara dhe katër pas,” tregoi ai.

Ai shtoi se pas qëndrimit në terapi intensive vuajti edhe nga një problem i rëndë në shpatull, që e bëri rikthimin fizik edhe më të vështirë.

Christian, nga ana tjetër, tha se pas katër muajsh ishte rikuperuar pa pasoja serioze, edhe pse procesi i dializës ishte shumë i lodhshëm për organizmin.

Edhe sot, Lorne vuan nga fibrilacioni atrial dhe duhet të marrë ilaçe për zemrën çdo ditë.

“Zemra ime nuk është në ritmin e duhur. Është e fortë, por nuk punon në sinkron”, tha ai.

Megjithatë, përvoja e ka ndryshuar mënyrën si e sheh jetën.

“Nuk i merr më gjërat si të mirëqena. Vlerëson edhe detajet më të vogla që shumica e njerëzve nuk i vënë re.”

Ai kujton se gjatë dy javëve në terapi intensive nuk kishte pirë ujë.

“Kur piva atë gllënjkë ujë të pastër, ishte gjëja më e mirë që kisha provuar ndonjëherë në jetën time.”

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme