Sociale 24 December 2025, 12:28 Nga VNA

FMN kritika për “Paqen Fiskale”, shqetësuese mbetet edhe rënia e popullsisë

Ndaje në Whatsapp

FMN kritika për “Paqen Fiskale”, shqetësuese mbetet edhe

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në konsolidimin fiskal dhe në forcimin e stabilitetit makroekonomik, por paralajmëron se disa nisma të reja politike rrezikojnë të zhbëjnë një pjesë të këtyre arritjeve. Në raportin e tij për Konsultimin e Nenit IV pas misionit në nëntor 2025, FMN thekson se forcimi i mëtejshëm i administrimit tatimor – përmes kontrolleve të bazuara në risk, integrimit të të dhënave dhe përdorimit të teknologjisë – është thelbësor për të siguruar realizimin e plotë të të ardhurave të parashikuara në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS).

Në këtë kontekst, FMN shpreh shqetësim të veçantë për marrëveshjen e ashtuquajtur “Paqja Fiskale”, e miratuar nga Kuvendi, e cila parashikon: faljen ose shlyerjen me kushte të detyrimeve tatimore dhe doganore, përfshirë gjobat dhe interesat; një marrëveshje vullnetare për paracaktimin e fitimit të tatueshëm dhe pezullimin e kontrolleve tatimore gjatë periudhës së marrëveshjes; rivlerësimin e pasqyrave financiare të mëparshme me një normë preferenciale uniforme prej 5 për qind.

Sipas FMN-së, këto masa rrezikojnë të dëmtojnë ndjeshëm kulturën e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, duke cenuar përparimin e Shqipërisë drejt një sistemi tatimor modern, të drejtë dhe të barabartë. Për më tepër, ato ngrenë shqetësime serioze në lidhje me funksionimin e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), pasi mund të lehtësojnë futjen në sistemin financiar formal të fondeve apo aseteve me origjinë të paqartë, që më parë nuk kanë qenë të deklaruara.

FMN: Falja e borxheve të integrohet në legjislacion të përhershëm

Në vend të nismave ad-hoc, FMN rekomandon që çdo lehtësim i borxheve tatimore të inkorporohet në legjislacion të përhershëm, me rregulla të qarta, transparente dhe të harmonizuara me standardet ndërkombëtare për fshirjen e detyrimeve. Në plan afatgjatë, përmirësimi i qeverisjes, forcimi i shtetit ligjor dhe reduktimi i informalitetit do të ishin mënyra më efektive për rritjen e qëndrueshme të të ardhurave buxhetore.

Raporti thekson se Shqipëria tashmë ka përfituar nga një performancë e fortë e të ardhurave dhe nga disiplinimi fiskal, duke ulur borxhin publik në rreth 54.5 për qind të PBB-së në vitin 2024, me projeksione për rënie nën 50 për qind deri në vitin 2030. Megjithatë, FMN paralajmëron se presionet afatmesme dhe afatgjata mbi shpenzimet publike – veçanërisht nga mbrojtja, pensionet, shëndetësia dhe ndryshimet demografike – kërkojnë politika të kujdesshme dhe të qëndrueshme fiskale.

Praktikat buxhetore: FMN kërkon më shumë transparencë parlamentare

Një tjetër pikë kritike e raportit lidhet me praktikat e rishikimit të buxhetit. FMN rekomandon që ndryshimet buxhetore të kalojnë përmes procesit të rregullt legjislativ, dhe jo përmes akteve normative, të cilat reduktojnë transparencën dhe e bëjnë planifikimin fiskal më pak të parashikueshëm. Sipas FMN-së, kjo praktikë dobëson kontrollin parlamentar dhe ul besueshmërinë e kuadrit fiskal në afat të mesëm.

Investimet publike dhe PPP-të: nevojë për cikël të unifikuar dhe kontroll më të fortë

Raporti i FMN-së ndalet gjerësisht edhe te menaxhimi i investimeve publike (PIM) dhe mbikëqyrja e partneriteteve publike-private (PPP). FMN rekomandon rikthimin e një cikli të unifikuar projektesh, me studime fizibiliteti të detyrueshme, prioritizim të qartë dhe kontroll të angazhimeve shumëvjeçare. Vendimmarrja duhet të harmonizohet mes projekteve tradicionale dhe PPP-ve, me Ministrinë e Financave si koordinator qendror i të gjithë ciklit të investimit publik.

Veçanërisht kritike konsiderohet praktika e propozimeve të pakërkuara, të cilat përbëjnë rreth 80 për qind të portofolit aktual të PPP-ve. FMN rekomandon eliminimin e tyre dhe thjeshtimin e strukturave të qeverisjes për të shmangur fragmentimin institucional dhe rreziqet fiskale të fshehura.

Në këtë kuadër, FMN sugjeron realizimin e një Climate-PIMA (C-PIMA) për të vlerësuar progresin që nga vlerësimi i fundit i vitit 2016 dhe për të forcuar më tej axhendën e investimeve publike, veçanërisht në kushtet e rritjes së nevojave për investime të lidhura me klimën.

Mesazh i qartë për politikëbërësit

Në përfundim, FMN e sheh Shqipërinë në një “moment kyç”, me rritje të fortë ekonomike dhe perspektivë pozitive për integrimin europian, por paralajmëron se zgjidhjet afatshkurtra fiskale dhe devijimet nga praktikat e mira të qeverisjes mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e arritur me vështirësi gjatë viteve të fundit. Mesazhi për politikëbërësit është i qartë: forcimi i administrimit tatimor, transparenca buxhetore dhe qeverisja e mirë mbeten shtyllat kryesore për një rritje të qëndrueshme dhe të drejtë ekonomike. /ekofin.al

Video

Ish-kryeministri Sali Berisha mbërrin në SPAK, në zbatim të masës detyrim paraqitje.

🔴LAJM I FUNDIT/ Begaj firmos hartën e re territoriale: 15 bashki humbasin statusin

Nëntë jetë të humbura dhe rreth 600 banorë të evakuuar: një avion privat Learjet u rrëzua në një zonë banimi në Palm Beach, Florida, duke lënë pas gjurmë shkatërrimi. Sipas përshkrimit të videos, avioni ishte nisur nga Teksasi drejt Bahamasit, por fluturimi përfundoi në tragjedi, pa asnjë të mbijetuar në bord. Dëshmitarët e përshkruan rënien si atë të një rakete.

Një avion privat Learjet 60 u rrëzua më 1 nëntor në një zonë të banuar pranë Cresthavenit, në Florida, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave në bord. Sipas Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së, avioni ishte nisur nga aeroporti Austin-Bergstrom në Teksas dhe po udhëtonte drejt Bahamasit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur avioni përplaset pranë një rruge dhe shpërthen në flakë. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, e cilësoi ngjarjen një “tragjedi të tmerrshme”. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit, raporton Reuters.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme