Politika 27 April 2026, 12:52 Nga VNA

Tjetër vetëpërjashtim nga PD, kandidati për kryetar në Gjirokastër: Demokratët nuk dëgjohen, partia trajtohet si pronë private

Ndaje në Whatsapp

Tjetër vetëpërjashtim nga PD, kandidati për kryetar në

Procesi i zgjedhjeve të brendshme në PD po shoqërohet me përçarje mes demokratëve dhe me shumë vetëpërjashtime. Pas dorëheqjes së kryetarit të degës në Fier, edhe kandidati për kryetar në degën e PD Gjirokastër, Armando Rabi ka njoftuar tërheqjen. Vendimi i tij ka ardhur i shoqëruar me akuza të forta ndaj drejtuesve të partisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rabi ka deklaruar se gara në degën e Gjirokastrës nuk zhvillohet në mënyrë të lirë dhe se strukturat e partisë janë vetëm formale. Ai ka theksuar se procesi është i manipuluar dhe i ndikuar nga interesa personale, duke lënë në hije vullnetin e anëtarësisë. Sipas tij, mungesa e transparencës dhe garës së ndershme ka krijuar një realitet zhgënjyes për demokratët.

Ai ka akuzuar drejtuesit se po e trajtojnë PD si pronë private dhe jo si një organizatë politike në shërbim të anëtarëve.

Postimi i Armando Rabit:

Të dashur demokratë. Sot po ju drejtohem me një vendim të vështirë, por të ndershëm: Kam vendosur të tërhiqem nga gara për kryetar të PD, dega Gjirokastër.

Ky nuk është një vendim që e mora vetëm.

Është një vendim që lindi nga bisedat me ju, nga mesazhet tuaja, motivuese, nga zhgënjimi që ndjeva çdo ditë që nga momenti kur shpalla kandidaturën time, nga drejtuesi politik i qarkut Gjirokastër.

Shumë prej jush më thatë:

“Nuk do të ketë zgjedhje. Të kot e ke” Dhe fatkeqësisht, kjo doli e vërtetë.

Jo sepse demokratët nuk i duan zgjedhjet, por sepse disa nuk i duan demokratët.

Unë shkova, trokita, kërkova vetëm një gjë të thjeshtë: Të respektohet statuti, dhe të ketë garë të ndershme.

Pas shumë përpjekjesh, gara u hap…

por jo për të qenë e lirë, por për t’u kapur, për t’u manipuluar, për t’u mbytur nga intrigat dhe propaganda…

Dhe më e rënda? Në kryesi u tha hapur nga deputeti:

Nëse Armando është në garë me këtë ish kryetar, e ka të fituar.

Atëherë unë po ju pyes: ku ishte problemi nëse unë fitoja?

Kujt i prishte punë një fitore e ndershme?

Pse duhej të ndalej kjo garë që në fillim?

E vërteta është e hidhur: PD në Gjirokastër sot nuk është ajo që njohim.

Strukturat janë vetëm në letër.

Seksionet nuk ekzistojnë.

Demokratët nuk dëgjohen. Për vite me radhë nuk ka pasur zë, nuk ka pasur qëndresë, nuk ka pasur opozitë reale.

Dhe kur kjo u tha hapur, në sy të të gjithëve, prapë u tentua të mbahej gjithçka siç është. Jo për demokratët, por për interesa personale.

Jo për Partinë, por për pazare.

Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj.

Nuk mund të hesht kur më kërkohet të hesht.

Nuk mund të mbyll sytë kur shoh padrejtësi.

Nuk mund të bëj kompromis me ndërgjegjen time.

Unë jam një demokrat si ju. Vij nga një familje që ka dhënë 35 vite për këtë parti, pa kërkuar asgjë në këmbim.

Kam qëndruar çdo ditë në opozitë, jo vetëm në kohë zgjedhjesh. Kam folur kur duhej të flitej, edhe kur më thanë të hesht.

Sot po largohem nga një garë e deformuar, por nuk po largohem nga ju.

Do të jem mes jush, krah jush, si gjithmonë.

Sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt.

Ajo është e demokratëve të ndershëm.

Dhe zëri i tyre nuk shuhet. Sado që përpiqen.

Mbajeni partinë si pronë tuajën…por dijeni një gjë: zërin e demokratëve nuk do ta shuani dot kurrë.

 

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme