Politika 26 February 2026, 10:57 Nga VNA

Takimi Duka–Mane: Kur futbolli nuk është më sport, por aset për t’u administruar nga ata që e shohin si biznes

Ndaje në Whatsapp
Takimi Duka–Mane: Kur futbolli nuk është më sport, por aset

Ndërsa në Kuvend po shitet me paketim festiv projektligji për Sponsorizimet – si ilaçi që do të ringjallë sportin shqiptar – në Federatën e Futbollit u zhvillua një skenë shumë më e sinqertë për atë që realisht lëviz këtë lojë: pushteti dhe paraja.

Samir Mane hyn në federatë për të takuar Armand Dukën. Jo si tifoz, jo si njeri i pasionuar pas taktikës apo akademive të të rinjve. Por si biznesmen që pyet troç: nëse futem në futboll, do humbas para apo mund të fitoj?

Përgjigjja është po aq e zhveshur nga romantizmi: “Në fakt ti nuk merr vesh nga futbolli.” Dhe kjo nuk përbën as problem. Sepse futbolli, në këtë version, nuk është më lojë. Është platformë. Është territor ndikimi. Është një hapësirë ku menaxhimi vlen më shumë se njohja e rregullit të pozicionit jashtë loje.

Mesazhi i Dukës është i qartë: mos hidh thjesht para, menaxho një klub. Të hedhësh disa lekë është e lehtë. Të marrësh disa lekë po ashtu. Ajo që ka vlerë është kontrolli. Drejtimi. Emri mbi derë.

Në këtë “show” mes dy njerëzve që e kanë ndërtuar suksesin mbi logjikën e ndikimit dhe të kapitalit, futbolli shërben si sfond. Tifozët janë figurantë. Loja është dekor. Thelbi është kush e drejton, kush vendos, kush fiton – jo në tabelën e stadiumit, por në tabelën e interesave.

Ndërkohë, ligji për Sponsorizimet pret votat në Kuvend, me premtimin se do t’i japë hov sportit. Por ajo që u pa dje në federatë ishte një provë shumë më e qartë: sporti nuk ka nevojë për ligj për të tërhequr kapitalin. Ka nevojë për marrëveshje. Për ambicie. Për njerëz që e shohin klubin si aset.

Dhe kështu, mes një batute për “nuk merr vesh nga futbolli” dhe një ftesë për ta menaxhuar atë, u dha mesazhi i vërtetë: loja është e rëndësishme vetëm për 90 minuta. Pushteti dhe paratë zgjasin shumë më gjatë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme