Politika 16 February 2026, 17:50 Nga VNA

Është ligj (edhe) për Belindën!

Ndaje në Whatsapp
Është ligj (edhe) për Belindën!

Një nga justifikimet që dha sot Edi Rama për miratimin me nxitim të projektligjit që kufizon mundësinë e SPAK për të kërkuar pezullim nga detyra, ishte se ai nuk po e bënte për Belinda Ballukun. Sipas tij, ministrja kishte ofruar tri herë dorëheqjen dhe ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale bëhej vetëm për të mbrojtur parimin e ndarjes së pushteteve. Pra, për ta paraqitur si një ndërhyrje “parimore”, jo të lidhur me një rast konkret.

Por faktet tregojnë se çështja e Belinda Balluku është në qendër të kësaj lëvizjeje. Madje, është arsyeja e parë dhe më e drejtpërdrejtë. Natyrisht, përfitues do të ishte edhe vetë Kryeministri dhe çdo ministër apo deputet tjetër që mund të përballet me hetim nga SPAK. Por rasti konkret që e ka vënë në lëvizje mekanizmin është ai i Ballukut.

Hapi i parë për t’u zgjidhur në rastin e saj është heqja ose jo e imunitetit. Sot duket e qartë se ky hap nuk do të ndërmerret. Kryeministri e ka bërë të kuptueshme se nuk do të lejojë heqjen e imunitetit – jo vetëm për Ballukun, por për asnjë ministër apo deputet, tani dhe në të ardhmen.

Në këtë pikë, ai e ka bërë të qartë para ca kohësh se “nuk ka lexuar mbi 16 mijë faqe prova” shenjë e qartë se e kishte mbyllur kapitullin e heqjes së imunitetit me kohë e me vakt. Në praktikë, shumica parlamentare kontrollon vendimin për imunitetin. Dhe shumica është në duart e Kryeministrit. JO-ja ndaj SPAK-ut është thjesht formalizëm tashmë.

Ndërkohë, paralelisht po zhvillohet një betejë tjetër ligjore. Në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është në pritje shqyrtimi i ankimit të znj. Balluku kundër vendimit për pezullimin e saj nga detyra marrë nga shkalla e parë e GJKKO.

Ky vendim u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, por së fundmi Gjykata rrëzoi kërkesën e Kryeministrit. Kjo do të thotë se, sapo vendimi i Gjykatës Kushtetuese të arsyetohet dhe të botohet në Fletoren Zyrtare, pezullimi nga detyra mund të rikthehet në fuqi.

Pikërisht në këtë moment hyn në skenë projektligji i ri. Projektligji i depozituar sot, kërkon 84 vota, të cilat shumica i ka. Si ligj i cilësuar, ai nuk mund të miratohet brenda ditës; duhet të kalojnë të paktën dy javë nga depozitimi. Më pas vjen afati i Presidentit për shpallje (ka kohë maksimalisht deri në 20 ditë), si dhe koha e hyrjes në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare (zakonisht 15 ditë nga botimi).

Në total, brenda rreth 30–45 ditësh, projektligji mund të shndërrohet në ligj me fuqi të plotë.

Ndërkohë, është e pritshme që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë botuar. Në atë moment, Apeli i GJKKO do të duhet të rifillojë shqyrtimin e ankimit të Ballukut. Por nëse, në kohën kur Apeli merr vendim për këtë ankim të Ballukut, ligji i ri ka hyrë në fuqi dhe nuk lejon më pezullimin nga detyra për ministra apo deputetë, atëherë Apeli i GJKKO do të jetë e detyruar ta zbatojë atë.

Kjo do të thotë se vendimi i shkallës së parë për pezullim do të shfuqizohet jo sepse ndryshuan faktet, por sepse ndryshoi ligji.

Edhe në rastin kur Apeli vendos përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri të Ramës, çështja nuk mbyllet. Znj. Balluku nëse del e pakënaqur nga Apeli i GJKKO, me gjasë do mund të ankimojë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Me siguri të plotë, në atë moment ligji i ri ka hyrë në fuqi. E në këtë situatë Gjykata e Lartë do të gjendet përballë të njëjtit realitet: duhet të zbatojë ligjin e ri të sapohyrë në fuqi. Ky ligj nuk e lejon më pezullimin nga detyra, e për këtë arsye, vendimet e mëparshme bien.

Pra, në çdo skenar kohor, ndryshimi ligjor prodhon të njëjtin rezultat: pezullimi nga detyra bëhet praktikisht i pamundur.

Në teori, projektligji paraqitet si mbrojtje e ndarjes së pushteteve. Në praktikë, ai ndërhyn drejtpërdrejt në një proces konkret, në një moment konkret dhe me një efekt shumë të qartë.

Përfituesja e parë është Belinda Balluku. Përfitues të mundshëm janë edhe kryeministri dhe ministra të tjerë në të ardhmen. Dhe përfitues indirekt është vetë shumica qeverisëse, e cila kufizon mjetet e veprimit të SPAK-ut ndaj ekzekutivit.

Prandaj është e vështirë të ndahet kjo nismë nga rasti konkret. Në politikë, koha e një ligji flet po aq sa përmbajtja e tij. Dhe në këtë rast, koha flet qartë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme