Politika 8 March 2026, 19:50 Nga VNA

Salianji nga Vlora: PD po bunkerizohet, opozita nuk mund të vazhdojë të justifikohet vetëm me fajin e Ramës

Ndaje në Whatsapp
Salianji nga Vlora: PD po bunkerizohet, opozita nuk mund të vazhdojë

Ervin Salianji ka lëshuar kritika të forta ndaj lidershipit të PD gjatë një takimi me strukturatnë Vlorë, duke theksuar se opozita nuk mund të vazhdojë të mbetet humbëse dhe se ndryshimi duhet të vijë nga brenda partisë. Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se qeveria qëndron në pushtet edhe për shkak të dobësisë së opozitës.

“Qeveria qëndron në këmbë edhe për faj të pafuqisë së opozitës. Duhet të shkojmë te guximi për t’u hapur dhe për të pranuar njerëz të rinj. Shqipëria ka energji dhe potencial njerëzor, por PD duhet t’u japë zë qytetarëve dhe kjo bëhet me më shumë demokraci brenda partisë,” u shpreh ai.

Salianji kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po funksionon opozita dhe tha se politika nuk duhet të jetë privilegj i një grupi të vogël njerëzish rreth lidershipit.

“Politika nuk është për disa njerëz të privilegjuar që rrinë rrotull lidershipit, por për ata që punojnë dhe sakrifikojnë. Ndryshimi do të vijë nga këto salla, nga njerëzit që janë këtu dhe jo nga ata që flenë mbi dafina për shkak të privilegjeve,” tha ai, duke bërë thirrje për bashkim për të sjellë rotacion politik në vend.

Në fjalën e tij, Salianji ngriti edhe pyetjen për përgjegjësitë pas humbjeve elektorale të Partisë Demokratike dhe kërkoi reflektim nga drejtuesit e saj.

“Përse nuk përjashtohen ata që e ngrenë zërin për ta mbajtur PD në humbje? Opozita nuk duhet të funksionojë si një klub i mbyllur shokësh dhe nuk duhet të ketë frikë nga konkurrenca,” tha ai.

Ai shtoi se drejtuesit politikë duhet të mbajnë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se nuk mund të vazhdohet me justifikimin se përgjegjësinë e ka vetëm qeveria.

“Nuk mund të vazhdojmë të themi se ‘fajin e ka Rama’. Ai duhet larguar, por ne duhet të gjejmë njerëzit e duhur. Kryetari i PD mban përgjegjësi për gjithçka që i ka ndodhur partisë,” deklaroi Salianji.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e organizimit të partisë, duke thënë se shumë kontribuues po përjashtohen dhe se kjo dëmton besimin e anëtarësisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

“Nuk mund të trajtohen njerëzit si budallenj dhe të vazhdohet me të njëjtat gënjeshtra prej 13 vitesh. Miqtë ndërkombëtarë presin vizion, ndërsa ne vazhdojmë të flasim me një gjuhë politike të vjetëruar,” u shpreh ai.

Në përfundim, Salianji theksoi se Partia Demokratike duhet të jetë një parti e hapur dhe meritokratike për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për t’u bërë një alternativë reale qeverisëse.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme