Politika 5 May 2026, 12:42 Nga VNA

Raporti i BE për Shqipërinë: drejtësia mbetet nën presion, korrupsioni shqetësim serioz, media ende e kërcënuar

Ndaje në Whatsapp

Raporti i BE për Shqipërinë: drejtësia mbetet nën

Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë mirëpret vijimin e reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që sipas dokumentit ka ndikuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit në sistemin gjyqësor.

Në raport vlerësohet edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor për emërimet e reja të magjistratëve, të cilat kanë ndihmuar në uljen e vendeve vakante. Megjithatë, BE thekson se pavarësia e gjyqësorit mbetet thelbësore për shtetin e së drejtës dhe kërkon përpjekje të mëtejshme për rritjen e llogaridhënies, cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë.

Raporti vëren ende probleme të vazhdueshme me efikasitetin e gjykatave, zbatimin e vendimeve përfundimtare, stokun e dosjeve, qëndrueshmërinë e jurisprudencës dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë mbi drejtësinë.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet korrupsioni. Raporti thekson se Shqipëria duhet të forcojë më tej kapacitetet policore të specializuara dhe të konsolidojë rezultatet në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

BE mirëpret punën e institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK, por kërkon garantimin e pavarësisë së tyre të qëndrueshme, burimeve të mjaftueshme dhe kapaciteteve operacionale, pa kufizuar kompetencat hetimore dhe pa cenuar punën e tyre.

Në raport kërkohet gjithashtu forcim i gjurmimit, ngrirjes, konfiskimit dhe administrimit të pasurive kriminale, përmes hetimeve financiare sistematike dhe bashkëpunimit më të mirë ndërinstitucional e ndërkufitar.

Sa i përket rendit dhe krimit të organizuar, raporti nënvizon rëndësinë e luftës efektive kundër pastrimit të parave, trafikut të drogës dhe rrjeteve kriminale. Autoritetet shqiptare nxiten të intensifikojnë bashkëpunimin me agjencitë e BE-së, si Europol dhe Eurojust, si dhe të përshpejtojnë përafrimin e kuadrit ligjor për krimin e organizuar me standardet europiane.

Në kapitullin për median, raporti mirëpret përmirësimin e Shqipërisë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, nga vendi i 99-të në vitin 2024 në vendin e 80-të në vitin 2025. Megjithatë, BE kërkon përpjekje të mëtejshme për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.

Raporti kërkon më shumë transparencë për konfliktet e mundshme të interesit të pronarëve të mediave, garanci kundër presionit politik dhe ekonomik mbi gazetarët, si dhe hetim efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj profesionistëve të medias. Po ashtu, kërkohet transparencë më e madhe për pronësinë e mediave dhe shpërndarjen e reklamave shtetërore, për të mbrojtur pavarësinë editoriale dhe pluralizmin.

BE dënon ashpër armiqësinë ndaj gazetarëve të pavarur dhe profesionistëve të medias në Shqipëri, përfshirë sulmet verbale dhe retorikën kundër medias nga zyrtarë të lartë, fushatat denigruese dhe ngacmimet mizogjene online, sidomos ndaj gazetarëve që raportojnë për shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe drejtësinë.

Raporti shpreh shqetësim edhe për numrin e lartë të padive kundër gazetarëve. Ai mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal, por shpreh keqardhje që ato nuk kanë çuar ende në dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme