Politika 17 February 2026, 13:49 Nga VNA

Rama shfrytëzon prezantimin e kreut të ri të AKSHI për të sulmuar drejtësinë

Ndaje në Whatsapp

Rama shfrytëzon prezantimin e kreut të ri të AKSHI për

Ndërsa prezantoi Igli Tafën si drejtuesin e ri të AKSHI, kryeministri Edi Rama mbrojti në fjalën e tij ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, nën akuzë si bashkëpunuese e një grupi kriminal që abuzoi me tenderat e institucionit, dhe akuzoi prokurorinë se i kishte vënë punonjësit e agjencisë nën presion duke “i keqtrajtuar dhe abuzuar”.

Kryeministri Edi Rama prezantoi të martën Igli Tafën si kreun e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, por e shfrytëzoi fjalën e tij prej më shumë se 20 minutash në prezantim për të sulmuar prokurorinë dhe për të mbrojtur ish-drejtoreshën nën hetim për bashkëpunim me një organizatë kriminale.

Në fjali që duket se kundërshtonin njëra-tjetrën, Rama tha se “nuk hynte në meritën e çështjes”, por mori në mbrojtje Karçanaj duke thënë se ajo kishte “një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik” dhe se po lidhej me “gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën”.

Po ashtu, ndërsa pretendoi se mbështeste atë që e cilësoi revolucion në sistemin e drejtësisë, Rama këmbënguli se ky sistem nuk po respektonte prezumimin e pafajësisë dhe e akuzoi prokurorinë se kishte “keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike” punonjës të AKSHI-t.

“Nuk është një kompjuter që fiket, por një jetë njeriu që vendoset në një pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për t’u pasur zili kur është i pafajshëm”, tha Rama ndër të tjera.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish-drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë. Ndërkohë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët akuzohet se drejtonin grupin dhe se u përfshinë në pengmarrje e afera të tjera korruptive, janë shpallur në kërkim.

Të dy ish-drejtueset janë në masa sigurimi “arrest shtëpie” që prej 16 dhjetorit të vitit që shkoi, por kryeministri, nën të cilin vepron AKSHI, nuk ndërhyri deri disa ditë më parë kur vendosi emërimin e Igli Tafës në këtë pozicion.

Tafa, që u prezantua shkurt nga Rama para punonjësve të AKSHI-t si “dikush që ju e njihni”, ishte deri së fundmi drejtues i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK. Në fjalën e tij, ai premtoi mbështetje dhe energji në vijimin e punës për atë që e quajti “vizioni i kryeministrit” për modernizimin dhe digjitalizimin e të gjitha shërbimeve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania-s, përfshi edhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryen rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.

Agjencia ka qenë herë pas here nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me sigurinë kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdorte, ndër të tjera, pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tendera dhe para publike. Ndërkohë që hetimet e SPAK zbulojnë një skemë abuzimi me paratë publike, ato po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cenimin e sigurisë kombëtare./BIRN/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme