Politika 4 February 2026, 13:05 Nga VNA

Rama i përgjigjet shoqatës së prokurorëve. Shmang debatin për pagat dhe e sulmon për afatet e paraburgimit

Ndaje në Whatsapp

Rama i përgjigjet shoqatës së prokurorëve. Shmang debatin

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur publikisht deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë mbi debatin kushtetues për pagat e magjistratëve, por ka zgjedhur të zhvendosë fokusin nga çështja e pagave drejt praktikës së paraburgimit. Reagimi i tij i publikuar në rrjetin social X sinjalizon jo vetëm një polemikë retorike, por edhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në debatin mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Në reagimin e tij, Rama shkruan:

“A e kuptoni apo jo se çfarë quhet ‘ulje pagash’ në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi?
Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!
Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!
Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!”

Ai vazhdon duke pretenduar se qeveria nuk ka pasur kurrë ndërmend të ulë pagat e gjyqtarëve dhe se, përkundrazi, po punon prej një viti për ndërtimin e një “Poli Drejtësie si askund në Ballkan”, që sipas tij do të garantojë kushte pune të barabarta me nivelin e pagave në rajon.

Megjithatë, thelbi i reagimit të Ramës nuk mbetet te pagat. Ai kalon menjëherë në një sulm frontal ndaj praktikës së paraburgimit, duke i drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë Shoqatës së Prokurorëve:

“Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arrestit me burg pa gjyq në praktikë rutinë, që e ka njollosur Shqipërinë botërisht, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?”

Kjo zhvendosje e debatit tregon qartë se shqetësimi i kryeministrit nuk lidhet realisht me pagat e magjistratëve, por me vendimet e gjykatave dhe dosjet e prokurorisë që prekin rrethin e tij politik dhe ekonomik.

Në thelb, Rama po përpiqet të delegjitimojë praktikën e paraburgimit, një instrument ligjor që vendoset nga gjykata, jo nga prokuroria e vetme. Duke e paraqitur atë si abuziv dhe politikisht të motivuar. Por në këtë mënyrë, ai po ndërhyn drejtpërdrejt në një territor që duhet të jetë plotësisht i pavarur nga pushteti ekzekutiv.

Fakti që kryeministri shmang debatin mbi standardet e pagave dhe garancitë kushtetuese për magjistratët, për t’u fokusuar te paraburgimi, flet më shumë për frikën nga pasojat e hetimeve dhe vendimeve gjyqësore sesa për një shqetësim real për të drejtat e njeriut.

Në çdo shtet demokratik, kryeministri nuk mund dhe nuk duhet të diktojë standardet e praktikës gjyqësore. Por në këtë rast, Rama jo vetëm që hyn në këtë debat, por e bën atë me një ton sulmues ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke minuar besimin publik te pavarësia e drejtësisë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme