Politika 28 January 2026, 16:05 Nga VNA

Rama flet për “zero burokraci” dhe digjitalizim, por SelfCare po paralizon bizneset dhe eksportuesit

Ndaje në Whatsapp
Rama flet për “zero burokraci” dhe digjitalizim, por SelfCare

Edi Rama tha sot se eksportuesit shqiptarë nuk duhet të humbin kohë me burokraci në dogana, por të mbështeten te digjitalizimi. Ai theksoi në një takim se sa më shumë Shqipëria të përpunojë lëndë të parë në vend, aq më shumë vlerë të shtuar do të mbajë brenda kufijve të saj, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe agro-përpunimit.

“Të shkojmë pa humbur shumë kohë, me zero burokracinë e doganave, duke u mbështetur te digjitalizimi,” deklaroi Rama, duke shtuar se qeveria ka vendosur instrumente të reja financiare për ndërmarrjet eksportuese, për të ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare.

Në letër, ky vizion i Ramës paraqet një Shqipëri më moderne, më efikase dhe më pak të bllokuar nga sportelet dhe formularët. Në realitet, digjitalizimi që Rama e shet si zgjidhje është shndërruar në një nga problemet më të mëdha për biznesin shqiptar.

Nëse dikush do të kërkonte një shembull perfekt se si progresi teknologjik mund të degradojë në një makth burokratik, janari i vitit 2026 në Shqipëri do të ishte rasti studimor ideal. Le të marrim rastin e Platformës SelfCare, e promovuar si simbol i modernizimit dhe lehtësimit të barrës administrative, që sot është kthyer në një barrierë paralizuese, që po mbyt aktivitetin ekonomik dhe po rraskapit profesionistët e kontabilitetit.

Ky nuk është thjesht një defekt teknik. Është një kolaps i heshtur i sistemit nervor të ekonomisë.

Bllokimi nuk kursen as bizneset e reja por as bizneset ekzistuese, të cilat nuk arrijnë të validojnë certifikata elektronike, të ndryshojnë personelin në kasa apo të kryejnë veprime bazë fiskale. Ndërsa Rama flet për zero burokraci, bizneset operojnë në një zonë gri ligjore, të ekspozuara ndaj gjobave dhe penaliteteve për shkak të një sistemi që nuk funksionon.

Kriza thellohet gjatë faturimit të përditshëm. Shumë subjekte raportojnë se faturat po dalin pa kodin unik NIVF, duke u shfaqur si të pafiskalizuara ose me gabime transmetimi. Ligji u jep bizneseve vetëm 48 orë për rifiskalizimin në rast ndërprerjeje – por kur SelfCare mbetet e paarritshme për ditë të tëra, ky afat shndërrohet në një kurth ligjor, ku faji i sistemit paguhet nga sipërmarrësi.

Për kompanitë me volume të mëdha faturimi automatik – si operatorët e energjisë, telefonisë apo ujësjellësit – situata merr përmasa edhe më alarmante. Pa akses në platformë, ato nuk mund të rakordojnë sistemet e tyre të brendshme me bazën qendrore të të dhënave. Rezultati është një “black box” financiar: paqartësi mbi numrin real të faturave, mbi fiskalizimin e tyre dhe mbi rrezikun e dublikimeve apo humbjes së të dhënave, me kosto të mëdha korrigjimi në të ardhmen.

Ironia është e qartë:
Ndërsa Kryeministri u kërkon bizneseve të besojnë te digjitalizimi për të shmangur burokracinë, vetë digjitalizimi është kthyer në pengesën kryesore të funksionimit normal të ekonomisë.

E ndërsa në podium, me regji qëndrore kryeministri flet për eksport, financim dhe modernizim, në terren, bizneset luftojnë për të mbijetuar në një sistem ku teknologjia, në vend që të çlirojë energjinë e tregut, po e bllokon atë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme