Politika 9 April 2026, 17:31 Nga VNA

‘Për interes shtetëror’: PS drejt liberalizimit të kushteve për dhënien e shtetësisë

Ndaje në Whatsapp

‘Për interes shtetëror’: PS drejt liberalizimit të

Pas tërheqjes nga projekti për “pasaportat e arta”, deputeti socialist, Taulant Balla kërkon në Kuvend ndryshime në ligjin “Për shtetësinë”, duke parashikuar natyralizimin për interes shtetëror të personave të huaj me aktivitet publik ose privat.

Me propozim të deputetit Taulant Balla, mazhoranca socialiste po përgatitet sërish që të liberalizojë kriteret për dhënien e nënshtetësisë shqiptare me procedurë të veçantë për shtetasit e huaj – një praktikë kjo e ndjeshme për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit europian.

Projektligji i firmosur nga Balla është përfshirë në kalendarin e punës së Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike për periudhën 13- 30 prill dhe propozon ndryshime në nenin 9 të ligjit të vitit 2020 “Për Shtetësinë”, duke parashikuar konceptin e natyralizimit të shtetasve të huaj “për interes shtetëror”.

Ligji aktual parashikon që në raste të veçanta, një shtetas i huaj mund ta përfitojë pasaportën shqiptare pa përmbushur kushtet mbi kohën e qëndrimit apo njohuritë mbi gjuhën dhe historinë shqiptare, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar për personalitete në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë apo sportit.

Sipas propozimeve të Ballës, natyralizimi për interes shtetëror bëhet në rastet kur shteti shqiptar ka interes të posaçëm për krijimin e një lidhjeje të qëndrueshme me personin e huaj, për shkak “të cilësive, aftësive dhe rrethanave specifike të dobishme të individit ose të veprimtarisë së tij, private ose publike”.

Projektligji parashikon gjithashtu që aplikimet që do të bazohen në nenin 9 të ligjit “Për Shtetësinë” duhet të mbështeten me dokumentacion nga ministrat e kabinetit “Rama” që mbulojnë fushën përkatëse.

“Interesi i posaçëm shtetëror identifikohet, mbështetet dhe garantohet përpara Presidentit të Republikës nga ministri që mbulon fushën përkatëse,” thuhet në projektligj.

Në katër vitet e fundit, kjo është hera e dytë që mazhoranca socialiste përpiqet të ndryshojë ligjin “Për shtetësinë”, që lidhet njëherazi me sigurinë kombëtare dhe procesin e integrimit në BE.

Në vitin 2022, qeveria e kryeministrit Edi Rama inicioi një projekt për ‘shitjen’ e pasaportës shqiptare për shtetas të huaj dhe të pasur që duan të investojnë në Shqipëri – sipas një skeme të njohur ndërkombëtarisht si “pasaportat e arta”.

Qeveria u tërhoq nga projekti pas reagimit të ashpër të Komisionit Europian, i cili e konsideroi këtë praktikë si të papajtueshme me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe të rrezikshme për sigurinë./BIRN/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme