Politika 9 February 2026, 14:46 Nga VNA

“Ndryshime ligjore”: Rama shpall kabinetin e tij të paprekshëm nga masat e SPAK

Ndaje në Whatsapp

“Ndryshime ligjore”: Rama shpall kabinetin e tij të

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të hënën se do të ndërmarrë një ofensivë ligjore për të mbrojtur kabinetin e tij qeveritar dhe poste të tjera kushtetuese ndaj masave të pezullimit nga detyra nga ana e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra për numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku.

Rama njoftoi gjithashtu se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut do të futej në ‘kalendat greke’, pasi sipas tij “nuk ka asnjë urgjencë” për ta trajtuar atë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Deklaratat e Ramës u prezantuan si konkluzione të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të hënën nisur nga “leximi i deklaratës  publike të Gjykatës Kushtetuese” për rastin Balluku. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende i plotë.

“Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër i përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton,” shkroi Rama në platformën X.

Duke ia atribuar qëndrimin Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai shton ky qëndrim u nxit  “nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja”.

Ndërkohë, Kryeministri paralajmëron se mazhoranca që ai drejton nuk do të shprehet për kërkesën e SPAK në Kuvend për të marrë autorizimin për një masë të re sigurie arrest me burg/arrest në shtëpi ndaj Ballukut, e marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në disa tendera me vlerë qindromilionë euro.

Sipas kryeministrit, pas pezullimit nga detyra të Ballukut, SPAK “mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”.

Rama shton më tej se ky qëndrim nuk e prek lirinë e SPAK-ut për të hetuar, por garanton që “pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken”.

Gjykata Kushtetuese të premten vendosi të rrëzojë kërkesën e Ramës kundër një vendimi të Gjykatës së Posaçme, GJKKO, që pezullonte nga funksionet administrative Ballukun. Vendimi u mor pas një mbledhje maratonë prej 10 orësh ku gjyqtarët e kësaj gjykate u ndan 4 e 4 në qëndrimet e tyre dhe kërkesa e Ramës u konsiderua e rrëzuar, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Nga ana tjetër, që prej dhjetorit Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka refuzuar të thërrasë Këshillin e Mandateve, organi që vendos për imunitetin e deputetëve, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut./BIRN/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme