Politika 4 August 2025, 15:29 Nga VNA

Mbyllen hetimet ndaj Ilir Metës për dosjet CEZ-DIA dhe lobimin, çështja kalon në gjykatë

Ndaje në Whatsapp
Mbyllen hetimet ndaj Ilir Metës për dosjet CEZ-DIA dhe lobimin,

Ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i është komunikuar sot nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbyllja e hetimeve për dy dosje të rëndësishme penale: çështjen e lobimit të LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aferën CEZ-DIA.

Meta u paraqit në SPAK rreth orës 11:00, i shoqëruar nga ambientet e paraburgimit dhe i asistuar nga avokati i tij, Kujtim Cakrani. Seanca zgjati rreth tre orë, ndërsa avokati deklaroi për mediat se nuk u paraqit asnjë provë e re që të mbështesë akuzat për korrupsion, pastrim parash apo fshehje pasurie.

“U njohëm me përfundimin e hetimeve, nuk kishte asgjë të re nga ato që jemi njohur që në seancën e parë. Edhe pas 6 vitesh hetime për CEZ-DIA nuk ka asnjë fakt të ri. E njëjta gjë vlen për dosjen e lobimit në SHBA,” – deklaroi Cakrani.

Ai theksoi se çështja do të ndiqet në gjykatë me proces të zakonshëm, duke refuzuar gjykimin e shkurtuar. Mbrojtja pretendon se organi i akuzës nuk ka zbardhur as pagesat dhe as burimin e tyre, duke ngritur dyshime për një hetim të njëanshëm.

Në reagimin e tij pas seancës, Ilir Meta e ka përshëndetur mbylljen e hetimeve, duke i cilësuar ato si “hetim-fabrikime” të nisura që në dhjetor 2019.

“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019. Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 maj me prokurorët e SPAK-ut,” – shkruan Meta.

Ish-Presidenti ka akuzuar SPAK-un se ka shmangur qëllimisht hetimet për dy çështje kyçe, të cilat, sipas tij, do të kishin zbardhur të vërtetën.

“Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS,” – shkruan më tej Meta.

Sipas tij, mos-hetimi në këto drejtime është rezultat i ndërhyrjes politike:

“Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh.”

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe u mor zyrtarisht i pandehur në maj 2025. Ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, nënën e saj Fatime Kryemadhi, si dhe dy bashkëpunëtorët Ema Çoku dhe Piro Xhixho. SPAK ka ngritur ndaj tyre akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme