Politika 10 April 2026, 12:24 Nga VNA

Malaj: Valuta në vend po hyn në mënyrë organike, nuk po pastrohen para

Ndaje në Whatsapp
Malaj: Valuta në vend po hyn në mënyrë organike, nuk po

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë fjalës në Kuvend për projektligjin për disa ndryshime në ligjin për pastrimin e parave ka treguar se cilat janë burimet e hyrjes së valutës në vend, duke theksuar se ajo ka hyrë në mënyrë organike.

Malaj ka bërë një analizë të disa treguesve që kanë të bëjnë me flukset e valutës së huaj, kryesisht asaj euro dhe që vijnë nga disa burime dhe më konkretisht:

Remitancat, për vitin 2025, sipas të dhënave të Eurostat (përdor një koncept më të gjerë në llogaritjen e tyre ) u llogaritën në mbi 2 miliardë euro ( nga shtetet e BE-së dhe jashtë tyre).

Të ardhurat nga turizmi  (incomes) po për vitin 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë euro (+14.7%).

Investimet e Huaja Direkte, u rritën në nivelin më të lartë historik gjatë 9M-2025 në 1.6 mld Eur.

Kreditimi në valutë përgjatë vitit 2025 ishte 1.8 mld Eur.

Investimet e shtetasve të huaj për blerjet e pasurive të paluajtshme gjithashtu u llogariten në 560 milionë euro.

“Të gjitha këto tregues që përmenda nuk mund dhe nuk duhet të interpretohen si elementë të “pastrimit të parave”. Ky do të ishte veçse një aludim, pa asnjë fakt të bazuar në analiza ekonomike dhe financiare”, tha Malaj.

Pra, këto të dhënat na tregojnë se :

         Turizmi, investimet në pasuritë e paluajtshme apo dhe remitancat po gjenerojnë valutë në mënyrë organike;

         Ndikimi i tyre në kursin e këmbimit është i shpjegueshëm dhe në linjë me konceptet ekonomike.

“Natyrisht, që e gjitha kjo nuk përjashton nevojën për më shumë vigjilencë nga ana e institucioneve tona, për të garantuar që flukset e valutave të huaja që hyjnë në ekonomi të jenë të gjurmueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.

“Shqipëria sot, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian ndodhet në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit ligjor dhe të besueshmërisë ndërkombëtare. Gjithnjë e më shumë po intensifikojmë përpjekjet për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të garantuar përmbushjen e plotë dhe të qëndrueshme të standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Masat që kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim janë pjesë e një qasjeje të gjerë shtetërore për të forcuar sigurinë kombëtare, për të garantuar integritetin e sistemit financiar, si dhe për të mbrojtur ekonominë shqiptare nga ndikimet që mund të vijnë nga aktivitetet e paligjshme financiare”, tha ministri Malaj.

“Në një kohë kur financimi i terrorizmit dhe rrjetet kriminale operojnë në një kontekst global, përgjigjja jonë duhet të jetë e koordinuar dhe në përputhje të plotë me aleatët tanë strategjikë.

Ndaj, në këtë kuadër, projektligji që paraqesim sot përpara jush, që parashikon disa ndryshime në ligjin nr. 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, është një hap i domosdoshëm për të plotësuar më tej kuadrin ligjor dhe për të rritur efikasitetin në zbatim të ligjit”.

Ky projektligj synon jo vetëm përmirësimin e mekanizmave ekzistues, por edhe harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë me përditësimet më të fundit të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë, ku ndër të tjera përfshihen edhe aspektet që lidhen me financimin e armëve të dëmtimit në masë.

Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm sa i takon angazhimeve të saj në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe këtë e konfirmojnë edhe vlerësimet që kanë dhënë institucionet ndërkombëtare të specializuara, por edhe Raport – Progresi i Komisionit Evropian për vitin 2025, tha ministri.

Një nga propozimet kryesore është përfshirja në ligj e konceptit të “financimit të armëve të dëmtimit në masë” në përputhje me rekomandim 1 të FATF.

Ky përkufizim i ri përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, nga sigurimi i fondeve deri tek ndërmjetësimi dhe transferimi i tyre për qëllime që lidhen me armët kimike, biologjike, radiologjike apo bërthamore.

Në të njëjtën linjë, forcohet ndjeshëm qasja e bazuar në rrezik. Subjektet e ligjit tashmë kanë detyrime më të qarta për të identifikuar, vlerësuar dhe kuptuar rreziqet që lidhen jo vetëm me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, por edhe me financimin e armëve të dëmtimit në masë, duke marrë në konsideratë faktorë si klientët, produktet, shërbimet, zonat gjeografike dhe kanalet e shpërndarjes.

Një element tjetër i rëndësishëm është forcimi i masave të brendshme të subjekteve raportuese edhe për sa i përket financimit të armëve të dëmtimit në masë. Këto masa synojnë rritjen e kapaciteteve parandaluese dhe përmirësimin e cilësisë së raportimit të subjekteve raportuese dhe institucioneve pjesë e sistemit parandalues.

Gjithashtu janë përmirësuar dispozitat që lidhen me parashikimin e mundësisë të bllokimit apo ngrirjes së përkohshme të transaksioneve deri në 72 orë kur ka arsye të bazuara në rrethana dhe fakte për financimin e armëve të dëmtimit në masë, duke e shtrirë këtë parashikim edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në drejtim të organizatave jofitimprurëse, projektligji sjell një qasje më të balancuar dhe proporcionale. Masat e vigjilencës së zgjeruar nuk do të aplikohen më në mënyrë të njëjtë për të gjitha OJF-të, por do të fokusohen tek ato që paraqesin rrezik të lartë. Ky ndryshim është në përputhje me standardet ndërkombëtare, (Rekomandimi 8 i FATF) dhe njëkohësisht redukton barrën administrative për organizatat jo fitimprurëse, por dhe për sektorin financiar si subjekte raportuese.

Në nivel institucional, zgjerohet dhe forcohet roli i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave. Ky organ do të ketë një përgjegjësi më të gjerë, duke përfshirë edhe financimin e armëve të dëmtimit në masë në përcaktimin e politikave, si dhe duke rritur bashkëpunimin ndërinstitucional përmes grupeve të punës teknike dhe operacionale.

Një nga shtyllat më të rëndësishme të këtij projektligji është edhe formalizimi i procesit të Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut. Përmes propozimeve ligjore tashmë përcaktohet qartë detyrimi për hartimin periodik të këtij vlerësimi dhe të planeve përkatëse të veprimit.

Ky proces garanton një mekanizëm të qëndrueshëm, të koordinuar dhe të bazuar në të dhëna që do të mblidhen nga të gjitha institucionet pjesë e sistemit parandalues.

Njëkohësisht Agjencisë së Inteligjencës Financiare i njihen më qartë funksionet analitike strategjike, duke mundësuar përdorimin më të gjerë të të dhënave dhe statistikave për identifikimin e trendeve dhe rreziqeve në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të armëve të dëmtimit në masë./Monitor

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme