Politika 26 April 2026, 14:52 Nga VNA

Kur parlamenti vendoste mes politikës dhe drejtësisë. Fjalimi i fortë i Abdi Baletës në vitin 1991 për heqjen e imunitetit

Ndaje në Whatsapp
Kur parlamenti vendoste mes politikës dhe drejtësisë. Fjalimi i

Më 10 dhjetor 1991, në një nga debatet më të ndjeshme të viteve të para të pluralizmit, Abdi Baleta, deputet i Partia Demokratike e Shqipërisë, mbajti një ndër fjalimet më të drejtpërdrejta në Kuvendi Popullor i Shqipërisë gjatë debatit për kërkesën e Hetuesia e Përgjithshme e Shqipërisë për heqjen e imunitetit të dy deputetëve. Në një kohë kur institucionet e reja demokratike po përpiqeshin të përcaktonin kufijtë mes politikës dhe drejtësisë, Baleta paralajmëroi se parlamenti nuk duhet të bëhej mburojë për askënd dhe se pengimi i hetimeve do të krijonte një precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës. Më poshtë është fjala e tij, e mbajtur në atë seancë.

⸻

ABDI BALETA, deputet i PD-së:

“Kuvendi Popullor nuk është giykatë. Këtu nuk jemi për të gjykuar llojin e veprës penale, ka apo s’ka prova të mjaftueshme. Kuvendit Popullor i bëhet kërkesë nga organi i hetuesisë për t’u hequr imunitetin dy deputetëve, që të vazhdojë më tej procedimin për zgjidhjen e një çështjeje, natyrën, karakterin dhe rëndësinë e së cilës për jetën politike të vendit sot dhe në të ardhmen të gjithë ne e dimë fare mirë.
Unë nuk e quaj të arsyeshme të fillojnë deputetët të shprehin konsiderata ose gjykime personale se si e imagjinojnë ligjin dje dhe sot. Keto janë punë të organeve të drejtësisë.
Kemi pranuar parimin e madh të ndarjes së pushteteve. Neve, si organ legjislativ, na takon të bëjmë atë që është në kompetencën tonë. Nuk është e arsyeshme të thuhet këtu që, meqenëse nuk ka shenja përfitimesh personale, nuk ka përse t’i hiqet imuniteti. Ky është amatorizëm në shpjegim, në qoftë se s’është ndonjë gjë tjetër.
E dëgjova me kujdes leximin e kërkesës së Hetuesisë së Përgjithshme dhe, me sa kuptova, atje flitet për shpërdorim detyre. Dhe, kur flitet për shpërdorim detyre, përjashtohet domosdoshmëria e elementit të përfitimit personal. Zotërinjtë që drejtojnë organet e drejtësisë dhe po merren me një çështje shumë të rëndësishme, për të cilën kemi diskutuar dhe po diskutojmë, i kanë pasur parasysh të gjitha këto gjëra. Këtu neve për mendimin tim na shtrohet një problem thelbësor: do t’u krijojmë të gjitha mundësitë ligjore, do të heqim çdo bllokim ligjor, gjithnjë sipas ligjit, që organet e drejtësisë të vazhdojne punën e tyre të mëtejshme? Apo do të dalim tani t’u lidhim duart organeve të drejtësisë dhe t’u themi: “Kaq do të bëni, se kaq duam ne, sepse ne i kemi në dorë kartonat për të votuar”?
Prandaj unë do t’u bëja thirrje kolegëve që të mos e shikojnë këtë çështje as si ekspertë, as si njerëz që kanë privilegjin e madh ta përdorin votën në mënyrë të njëanshme, sipas vullnetit të vet. Këtu jemi përpara një problemi parimor, serioz, ndaj nuk mund të pengojmë organet e drejtësisë të vazhdojnë punën e tyre.
Heqja e imunitetit të një deputeti në raste të këtilla nuk do të thotë që ne pranojmë fajësinë, as që e fajësojmë, as që i vëmë vulën e fajësisë, por do të thotë krijim i kushteve ligjore që organi kompetent, i cili ka filluar një procedim, të vazhdojë normalisht punën e të arrijë në konkluzione të sakta. Të gjitha ato mbrojtje që parashtroi z. Korbeci, janë mbrojtje që mund të bëhen shumë mirë gjatë procesit hetimor, gjyqësor etj., dhe ajo që kërkon sot mund të arrihet nesër. Ne marrim mbi vete një përgjegjësi të madhe dhe krijojmë një precedent jo të mirë, në qoftë se organet e drejtësisë i dekurajojmë në një mënyrë të tillë për të vazhduar punën e tyre normale.”

(Abdi Baleta, “Kronikë Kohe”, vëllimi 2, fq. 101–102)

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme