Politika 11 February 2026, 15:56 Nga VNA

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar kundër projektligjit për Shërbimin e Jashtëm: Politizon skajshëm dhe dëmton karrierën e diplomatit

Ndaje në Whatsapp

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar kundër projektligjit për

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehet kundër projektligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm, të prezantuar disa ditë më parë nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Në një deklaratë e tyre, KASH thekson se asnjë nga sugjerimet e dhëna nga ambasadorët nuk është reflektuar në projektligj dhe se atyre u është mohuar e drejta për të zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar.

“I bëjmë thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare që ta tërheqin projektligjin dhe ta rihapin procesin e shqyrtimit në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe bipartizane, duke marrë seriozisht sugjerimet e atyre që japin një kontribut të vyer në politikën e jashtme dhe mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare,” thuhet në deklaratën e Këshillit.

KASH gjithashtu i bën thirrje edhe Presidentit të Republikës të mos e dekretojë ligjin në formën aktuale dhe të përdorë kompetencat kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim në Kuvend. Organizata paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë edhe ankimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të një shërbimi diplomatik profesional, të depolitizuar.

Sipas KASH, miratimi i ligjit në këtë formë rrezikon të politizojë sistemin e karrierës diplomatike dhe të krijojë precedentë negativë për rotacionet e ardhshme politike, duke cenuar kredibilitetin dhe vazhdimësinë e diplomacisë shqiptare.

DEKLARATE E PLOTE E KASH

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ndoqi me vëmendje të veçantë diskutimet e zhvilluara në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin për Politikën e Jashtme mbi projektligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe shpreh shqetësimin dhe keqardhjen e thellë që asnjë nga shqetësimet dhe sugjerimet e ngritura gjatë dy viteve të fundit nga KASH, si dhe nga personalitete të shquara të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk u morën në konsideratë nga përfaqësuesit e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nga deputetët e shumicës parlamentare.

KASH shpreh gjithashtu keqardhje për mungesën e vullnetit politik nga ana e qeverisë dhe shumicës parlamentare për ta trajtuar këtë projektligj me konsensus dhe në mënyrë bipartizane, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një ligj me interes të lartë kombëtar dhe shtetëror, e jo thjesht partiak.

KASH vlerëson se, ashtu si edhe me miratimin e ligjit në vitin 2015, shumica parlamentare vijon ta trajtojë dhe ta konsiderojë Shërbimin e Jashtëm si pjesë të saj, duke shprehur qartazi kundërshtinë ndaj ndërtimit të një shërbimi diplomatik profesional, të qëndrueshëm dhe me mbështetje konsensuale e bipartizane. Trupa diplomatike duhet të jetë në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe jo të partive në pushtet.

Ndërkohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë shumë profesionale, me kontribute të spikatura në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilën bëjnë pjesë ish-ministra të Jashtëm, ish-ambasadorë, ish-sekretarë të përgjithshëm të MPJ-së apo ish-drejtorë politikë, iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në një seancë të posaçme dëgjimore në Komisionin kuvendor për Evropën dhe Politikën e Jashtme, e kërkuar zyrtarisht prej KASH-it, për të mbrojtur një investim të bërë ndër vite për një diplomaci profesioniste, të karrierës, të kërkuar që në fund të viteve ’90 nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare që ta tërheqin projektligjin dhe ta rihapin procesin e shqyrtimit të tij në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe bipartizane, duke marrë seriozisht në konsideratë sugjerimet dhe rekomandimet e atyre që kanë dhënë dhe vijojnë të japin një kontribut të vyer në politikën e jashtme dhe në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare të vendit. Një qasje e tillë do të ndihmonte në konsolidimin e një trupe diplomatike profesionale, të depolitizuar dhe që gëzon mbështetje të gjerë institucionale dhe shoqërore.

KASH vlerëson se, i miratuar në këtë formë, projektligji do ta dëmtojë edhe më tej sistemin e karrierës diplomatike, do ta politizojë skajshëm atë dhe do të kultivojë ndjenjën e pasigurisë së përhershme politike te diplomatët e karrierës. Një shërbim diplomatik i tillë rrezikon të perceptohet si i paragjykuar dhe krijon një precedent negativ për çdo rotacion politik të ardhshëm, duke cenuar seriozisht vazhdimësinë dhe kredibilitetin e diplomacisë shqiptare.

Në këtë kontekst, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj në formën e miratuar dhe të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Njëkohësisht, KASH informon opinionin publik se do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale dhe ligjore, përfshirë edhe adresimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese, në mbrojtje të parimeve kushtetuese, të shtetit të së drejtës dhe të një shërbimi të jashtëm profesional, të depolitizuar dhe në shërbim të interesave afatgjata kombëtare të Shqipërisë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme