Politika 16 February 2026, 12:45 Nga VNA

E hëna e sulmit të koordinuar ndaj SPAK

Ndaje në Whatsapp

E hëna e sulmit të koordinuar ndaj SPAK

Kur qeveria dhe opozita flasin me të njëjtin gjuhë kundër drejtësisë, nuk është më debat politik. Është sinjal alarmi. E hëna që lamë pas tregoi se beteja ndaj SPAK nuk zhvillohet më në prapaskenë, por hapur, me deklarata të sinkronizuara dhe me një objektiv të qartë: kufizimin e drejtësisë kur ajo afrohet te pushteti.

Kjo e hënë do mbahet mend gjatë si dita e parë e javës që shënoi kulmin e sulmit politik ndaj prokurorisë së posaçme. Sinkron dhe në orare, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Sali Berisha kishin nxjerrë nga arkivi i tyre i pasur i sulmeve kundër drejtësisë fjalorin shantazhues ndaj SPAK, që mesa duket ua ka prishur humorin, qetësinë dhe ushtrimin e së drejtës për të qenë vetë zot e vetë shkop. Njëri në qeveri e tjetri në opozitë.

Kryetari i kësaj të fundit, në paraqitjen e tij dyjavore, vijoi me zhargonin banal të sulmit ndaj Altin Dumani, duke mos e fshehur më shqetësimin se hetimi pasuror për të dhe familjen e tij.

Berisha: “Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për të gjitha, 16 institucione për të hetuar Berishën dhe mbesat e tij dhe 4 vite para lindjes së tyre. Pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Ramës. Brenda një dite kanë dërguar hetim në 16 kërkesa, hetim 30-vjeçar. Kjo nuk ka lidhje me dosjen që ta theksojmë”.

Sali Berishës i duket e habitshme dhe e pakuptueshme që të hetohet aktiviteti i tij politik dhe burimet e financimeve. I duket e pafalshme që një prokuror merr guximin dhe heton se ku i gjeti paratë një grupim njerëzish që, pa asnjë tagër me të në krye, për një vit me radhë dolën në të gjithë Shqipërinë, organizuan takime dhe kuvend disa milionsh pa deklaruar asnjë shpenzim. Këto mund të jenë vërtet shuma më të vogla krahasuar me ato të korrupsionit qeveritar, por nëse janë më të vogla nuk do të thotë që duhen mbetur pa hetim.

Sikundër homologu i tij në qeveri, Edi Rama, në të njëjtën orë deklaronte: “Ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezullimin nga një prokuror dhe një gjykatës për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin, por cenon funksionin. Nuk pezullohet vetëm vajtja në punë e ministrit, por pezullohet puna e institucionit. Nuk mjaftoi fakti që s’ekziston asnjë rast i vetëm në Europë ku të jetë pezulluar një anëtar qeverie nga një prokuror dhe gjykatës”.

Në fakt, Edi Rama e di shumë mirë që në Europë mjafton një akuzë dhe funksionon më së miri institucioni i dorëheqjes. Sikundër një ligj i rëndësishëm i Kodit të Procedurës Penale nuk mund të ndryshohet brenda javës me një variant që qartas mbron “menderen” e ministrave dhe kryeministrit të rrezikuar nga hetimet.

Po nëse mbrohen ministrat, pse mos të mbrohen drejtorët e përgjithshëm apo drejtuesit e ministrive? Pse duhet të ketë imunitet për hetim ministri që drejton një institucion dhe mos ta kenë këtë imunitet të tjerët? Për të mos folur për përfshirjen në këtë projekt të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët në fakt nuk kanë nevojë për imunitetin e ligjit të Ulsiut.

Kjo narrativë e Edi Ramës dhe Sali Berishës ka vetëm një emërues të përbashkët: betejën tashmë pa maska ndaj SPAK. Kjo betejë, e nisur nën zë me komisionin e Xhafajt dhe vijuar me sulme verbale, tashmë ka mbërritur në pikën finale të saj: atë të ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale.

Që në dukje duket sikur po kundërshtohet nga PD, por që në thelb nuk e fsheh dot gëzimin e pjesës dërrmuese të lidershipit demokrat se SPAK-ut po i tregohet vendi. Si mënyra e vetme që Edi Rama dhe Sali Berisha të vijojnë të mbretërojnë në një skenë politike nga ku i vetmi faktor që mund t’i shkule është drejtësia.

Që me cilësitë dhe gabimet e saj u ka treguar shqiptarëve ca të vërteta, nga ato që vite më parë thuheshin vetëm me zë të ulët nëpër tryeza.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme