Politika 13 September 2025, 21:19 Nga VNA

Dueti i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe Ulsi Manja: Njëri pa poste, tjetri pa turp

Ndaje në Whatsapp
Dueti i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe Ulsi Manja: Njëri pa poste, tjetri pa

Pjerin Ndreu, i cili zyrtarisht duhet të merret me punët e Lezhës, ka zgjedhur të bëhet avokat i Ulsi Manjës – jo në gjykatë, por në Facebook. Me një status të gjatë e të mbushur me emoji, kryebashkiaku na bind se Ulsiut nuk i duhet të jetë ministër, sepse ai është shumë më tepër se aq: është “rojtar i ligjit” dhe “nder i kombit”. (Se ligjin e kemi parë çfarë rojtari ka pasur këto vite, nuk ka nevojë për koment).

Ndreu e përshkruan shokun e tij si bashkëluftëtar të hershëm në “llogoren kundër krimit”. Sot, meqë s’ka më post qeveritar, ai paska një status edhe më prestigjioz – kryetar i Komisionit të Ligjeve. Na thotë se aty filtrohen projektligjet “një për një”. Po, ka të drejtë: filtrimi ka qenë aq i imët, sa çdo gjë që u duhej qeveritarëve ka kaluar pa asnjë grimcë pengese.

Me një ton mes paternalizmit dhe krenarisë provinciale, Ndreu na qetëson: “Mos qani hallin e Ulsiut, se nuk ka hall ai. Hallin do e keni ju që nuk e duroni dot suksesin e tij.” Dhe sukses quhen, sipas tij, investimet “marramendëse” që po vijnë në Lezhë. Aq marramendëse, sa duhet të marrim frymë thellë para se të shohim çfarë rruge, shkalle apo kopshti do inaugurojnë me banderolë të kuqe javën tjetër.

Në fund, Ndreu vendos edhe një standart të ri për politikën shqiptare: nuk matet me poste, por me “metër investimesh”. Kjo do të thotë se, edhe nëse një ditë Ulsiu del në pension të detyruar, mjafton të marrë një metër e të masë investimet e Pjerinit në Lezhë që populli të kuptojë “lavdinë e tij”.

Pra, për t’i rënë shkurt: Ulsi pa poste, Pjerini pa masë. Një duet i përsosur i politikës shqiptare – ku humbjet dhe fitoret maten me investime imagjinare dhe “nderi i kombit” shpallet me emoji në Facebook.

 

https://www.facebook.com/share/p/16br9vQ1nA/

 

 

Video

🔴DIGJEN KOSHA TE MINISTRIA E ARSIMIT

Tensione para Ministrisë së Arsimit, ku studentët kanë kundërshtuar përpjekjen e deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike për t’iu bashkuar protestës së tyre. Mbërritja e përfaqësuesve të PD-së është shoqëruar me debate të ashpra mes protestuesve, ndërsa situata është qetësuar pas ndërhyrjes së të pranishmëve. “Opozita jemi ne!”, kanë thirrur në kor studentët, duke kërkuar që protesta të mbetet e pavarur nga partitë politike.

Flakadanë dhe flakë tek Ministria e Arsimit, protestuesit djegin koshat e mbeturinave.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme