Politika 18 December 2025, 18:40 Nga VNA

Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, me vlerë rreth 3 mln euro, sekuestrohen në shtëpinë e Ergys Agasit

Ndaje në Whatsapp
Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, me vlerë rreth 3 mln

Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, të cilat përllogaritet të kenë një vlerë rreth 3 milionë euro, janë sekuestruar në shtëpinë e biznesmenit Ergys Agasi. Ai është shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenë dhe, përmes dhunës, i detyronte të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHIT.

Verërat janë konstatuar nga agjentët e BKH-së, të cilët kanë njoftuar prokurorin e çështjes për kryerjen e sekuestrimit. Me urdhër të prokurorit, është vendosur masa e sekuestrimit dhe është njoftuar Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e tyre për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie detyrimesh tatimore. Burime bëjnë me dije se në një moment është tentuar ndërrimi i shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi më herët ishte kryer fotografimi dhe dokumentimi i plotë i tyre nga grupi i hetimit.

Sipas burimeve, një shishe kushtonte nga 7 deri në 10 mijë euro dhe bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. Koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimit të mëtejshëm për burimin e ligjshëm të pasurisë.

Ndërkohë, për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurisë arrest me burg, ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv drejtoreshën e AKSHIT. Të dyja masat janë konfirmuar nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesave për ndryshim mase, ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të manipulimit të tenderave.

Video

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme