Politika 4 February 2026, 13:56 Nga VNA

Deputetët si “gjeometra rrugësh”. Ekspedita e Fatmir Xhafajt në gjykata dhe mbyllja e derës nga SPAK

Ndaje në Whatsapp

Deputetët si “gjeometra rrugësh”. Ekspedita e Fatmir

Nisma e Fatmir Xhafajt për të inspektuar gjykatat ka marrë shkas nga një shkresë e KLGJ-së lidhur me sigurinë në gjykata. Dhe në këtë pikë shqetësimi është legjitim. Gjykatat e zakonshme kanë qenë shpesh në mëshirë të fatit dhe të individëve me probleme mendore që madje kanë shkrepur armën për të vrarë gjyqtarë, si në rastin tragjik të Astrit Kalajës.

Por edhe pas këtij shqetësimi real, “ujku i vjetër i padrejtësisë” mbetet i pandjeshëm: Xhafaj ka nisur deputetët e komisionit të tij për monitorim nëpër gjykata. SPAK ia ktheu menjëherë hovin duke i treguar kufirin ligjor të veprimit.

Pavarësia e drejtësisë është e shenjtë dhe premisë bazë e shtetit të së drejtës, dhe të parët që duhet ta mbrojnë janë gjyqtarët dhe prokurorët. Politikanët e lartë mund të kalojnë pragun e SPAK-ut vetëm si të pandehur apo për të dëshmuar, ku pyetjet i bën SPAK dhe deputetët përgjigjen. Ky është rregulli.

Ndoshta edhe Fatmir Xhafajt mund t’i vijë radha, por jo kur ta zgjedhë ai, por kur ta vendosin prokurorët e posaçëm.

Ndaj turi i deputetëve të Xhafajt për të marrë në pyetje prokurorë e gjyqtarë, gjoja të merakosur për “sigurinë” e tyre, është hipokrizi e një skileje të vjetër të Sigurimit të Shtetit. Nëse vërtet do ta kishte këtë merak, së pari duhet t’i kishte dalë kundër turmave të PS-së dhe Bashkisë që për pak morën peng gjyqtarët dhe prokurorët në rastin e Erion Veliajt. Ose të paktën të kishte bërë një reagim publik.

Magjistratët nga ana tjetër kanë të drejtë në shqetësimin e tyre. Por ata më shumë se kushdo duhet ta dinë se siguria në gjykata është përgjegjësi direkte e qeverisë dhe Kuvendit. Ky shqetësim nuk adresohet duke iu servilosur deputetëve injorantë që Xhafaj i çon lart e poshtë me duar në xhepa në gjykata e prokurori.

Rasti i kryetarit të GJKKO-së që i tregonte deputetit të Xhafajt dyert, dritaret dhe gardhin e gjykatës është shenjë dobësie dhe ul perceptimin publik të pavarësisë dhe distancës së shëndetshme nga politika dhe politikanët.

Në sistemin e drejtësisë shumica e dinë se detyrimi për sigurinë është fillimisht i KLGJ-së dhe KLP-së, që së bashku me drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive duhet të hartojnë nevojat teknike, ndërhyrjet, shpenzimet dhe rregullat për sigurinë e magjistratëve. Kjo është e parashikuar në Kushtetutë. Më tej, këto nevoja i dërgohen zyrtarisht kryeministrit dhe Kuvendit – jo si “lëmoshë”, por si kërkesë për të përmbushur detyrimin kushtetues.

Kryeministri i vendit mund t’i lejojë vetes tallje dhe nënqeshje me pagat e gjyqtarëve, por kurrsesi me jetën dhe shëndetin e tyre.

Nga ana tjetët, rregullorja e Kuvendit nuk u jep të drejtë deputetëve të bëjnë inspektime dhe monitorime në institucione të pavarura. Ata kanë të drejtë të kontrollojnë qeverinë dhe administratën, siç ua detyron Kushtetuta, por jo drejtësinë.

Ekspedita e Xhafajt në gjykata ishte thjesht një tentativë për të krijuar “ura bashkëpunimi” zyrtare me gjyqtarë dhe prokurorë të çështjeve, dhe nën këtë petk për të rikrijuar lidhje joformale, ndërhyrjeje në çështje konkrete. Këtë Xhafaj nuk e fshehu as në mbledhjen e sotme me përfaqësues të KLP-së, KLGJ-së, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme.

Shumë pak (ose aspak) kryetari i komisionit foli për sigurinë kibernetike, për të cilën tha në mënyrë të paqartë se “nuk merrte vesh shumë”. Ndërkohë, zëra thonë se emri i tij mund të jetë i përfshirë në një dosje hetimore të SPAK pikërisht për hakerimin e kompjuterëve të prokurorëve të posaçëm.

Këtë merak Xhafaj nuk e fshehu kur shprehu pakënaqësinë që SPAK ia kishte mbyllur derën e “bashkëpunimit” të ofruar prej tij.

“Duhet mirëkuptim mes pushteteve, jemi republikë parlamentare, nuk kanë karakter ndikues” - ishte mesazhi i tij për prokurorët e SPAK-ut që i mbyllën derën e bashkëpunimit. Por nëse janë seriozë dhe profesionistë, prokurorëve u takon t’i shkojnë deri në fund hetimeve të nisura pa u kompleksuar nga pushteti politik dhe shfaqjet e bukura të një bashkëpunimi që vetëm i tillë nuk mund të jetë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme