Politika 4 February 2026, 14:50 Nga VNA

Berisha kundër Gjykatës Kushtetuese — në të njëjtën vijë presioni me Ramën. A duhet të reagojë GJK?

Ndaje në Whatsapp

Berisha kundër Gjykatës Kushtetuese — në të

Sali Berisha doli sot në konferencë shtypi për të sulmuar sërish Gjykatën Kushtetuese për zvarritjen e vendimit në çështjen Balluku. Retorika ishte e ashpër: GJK u quajt “strofulla e fundit e hajdutëve të shqiptarëve”, një formulim që e vendos gjykatën nën një presion të drejtpërdrejtë politik.

Por përtej tonit, ajo që bie në sy është një fakt politik: Berisha po vepron në të njëjtën linjë presioni mbi drejtësinë dhe posaçërisht mbi GJK si Edi Rama.

Në fillim të janarit, Gjykata Kushtetuese reagoi publikisht ndaj sulmeve të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si presion të papranueshëm ndaj një institucioni të pavarur. Ai reagim u lexua si një akt mbrojtjeje i pavarësisë së drejtësisë.

Sot situata është simetrike: Berisha po ushtron të njëjtin lloj presioni publik mbi GJK, madje me gjuhë edhe më stigmatizuese. Në këtë pikë, GJK ka një detyrim moral dhe institucional të reagojë në mënyrë të barabartë — jo vetëm ndaj Ramës, por edhe ndaj Berishës.

Kjo jo për të mbrojtur njërën palë politike, por për të mbrojtur parimin: askush nuk ka të drejtë të kërcënojë, intimidojë apo delegjitimojë Gjykatën Kushtetuese.

Problemi është se, në sulmet e tyre ndaj kësaj gjykate por edhe ndaj drejtësisë në përgjithësi, as Rama dhe as Berisha nuk po nisen nga interesi publik për drejtësinë, por nga interesa të ngushta politike. Të dy po e trajtojnë GJK-në si fushë beteje, jo si garant të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, po sot në konferencë për shtyp Berisha kritikoi mekanizmin e pagave të magjistratëve, duke pranuar se aktualisht ekziston një problem serioz në këtë skemë. Kjo është e saktë në thelb: sistemi i pagave është përçarës dhe diskriminues mes prokurorëve e gjyqtarëve.

Por këtu qëndron paradoksi politik. Berisha sulmon sot skemën e pagave të vitit 2016. Por ai qëllimisht harron se në vitin 2023 ka qenë bashkëautor i prishjes së skemës ligjore, së bashku me votat e deputetëve të tij dhe të Ramës.

Pikërisht kjo prishje ligjore është baza mbi të cilën shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë ngritur pretendimin për diskriminim në paga. Me fjalë të tjera, Berisha po kritikon sot një problem që vetë e ka ndihmuar të krijohet dje.

Ky akt e vendos kryetarin e PD-së në një sinkron të heshtur, por të qartë, me Edi Ramën: të dy kanë ndërhyrë në arkitekturën ligjore të sistemit të drejtësisë, dhe sot të dy ankohen për pasojat.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme