Politika 24 April 2026, 16:00 Nga VNA

Beqaj i dërgon letër nga qelia Manjës, Xhafajt dhe Gogut: Ndryshoni Kodin e Procedurës Penale, ajo që më ndodhi mua....

Ndaje në Whatsapp

Beqaj i dërgon letër nga qelia Manjës, Xhafajt dhe Gogut:

Ish-deputeti dhe ish-ministri Ilir Beqaj, aktualisht në mjediset e IEVP Durrës, u është drejtuar me një shkresë zyrtare krerëve të komisioneve parlamentare, Fatmir Xhafaj dhe Ulsi Manja, si dhe Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Përmes kësaj shkrese, Beqaj ngre alarmin për atë që ai e konsideron si një "deformim serioz" të procesit penal në Shqipëri, duke vënë në shënjestër nenin 332/d, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale.

"Akuza nuk është bindje e prokurorit, por diktat i gjykatës"
Në qendër të ankesës së Beqaj qëndron ndryshimi i akuzës gjatë seancës paraprake për dosjen "13/2020". Sipas tij, gjykata ka tejkaluar kompetencat duke u kthyer në "formuluese" të akuzës, rol që Kushtetuta ia njeh ekskluzivisht Prokurorisë.

"Nëse akuza del në thelb nga arsyetimi i gjykatës, ndërsa prokurori thotë se kjo nuk është bindja e tij, atëherë kemi një deformim serioz të procesit penal. Ky nuk është më thjesht problem terminologjik apo teknik. Ky është problem i autorësisë së akuzës," shprehet Beqaj në letrën e tij.
Ai detajon se ndërsa SPAK e kishte hetuar për "shpërdorim detyre", gjyqtarja e seancës paraprake ka diktuar cilësimin e ri: "vjedhje duke shpërdoruar detyrën". Beqaj thekson se vetë prokurorët kanë pranuar në sallë se këtë ndryshim e bënë vetëm për të shmangur ngërçin procedural, dhe jo se ishin të bindur për veprën e re.

Shkelja e KEDNJ dhe Kushtetutës
Beqaj argumenton se kjo praktikë cenon nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi i pandehuri nuk njoftohet zyrtarisht me akt të prokurorit për natyrën e saktë të akuzës.

"Akuza e re nuk më është njoftuar me një akt të ri të prokurorit... është referuar herë si vendim i gjyqtares së seancës paraprake, herë si procesverbal, madje deri edhe si audioregjistrim i seancës."

Sipas ish-ministrit, kjo situatë krijon një paqartësi të rrezikshme mes atij që akuzon dhe atij që gjykon:

"Nëse pranohet kjo logjikë, atëherë kufiri mes gjykatës që gjykon dhe prokurorisë që akuzon bëhet i paqartë... Gjykata dikton përmbajtjen reale të akuzës dhe prokurori heq dorë nga bindja e vet vetëm për efekt procedural."


Thirrje për nismë ligjore dhe kontroll kushtetues
Në mbyllje të shkresës, Ilir Beqaj u kërkon përfaqësuesve të lartë të mazhorancës dhe Ministrisë së Drejtësisë që të ndërhyjnë për të rishikuar këtë pikë të Kodit të Procedurës Penale, duke e cilësuar këtë si një nevojë që shkon përtej rastit të tij personal.

"Ju ftoj të ndërmerrni veprime konkrete të nismës ligjore për të rishkruar nenin 332/d të KPrP ose të kërkoni kontroll kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Kontrolli kushtetues i kësaj norme nuk është interes personal. Është nevojë për të mbrojtur ndarjen e roleve në procesin penal."


Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga ana e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion apo Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë kërkesë të depozituar më datë 20 prill 2026.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme