Politika 10 February 2026, 09:37 Nga VNA

A po përgatitet PD të hyjë sërish në çadër përballë Kryeministrisë?

Ndaje në Whatsapp
A po përgatitet PD të hyjë sërish në çadër

Partia Demokratike duket se po rikthen në tavolinë skenarin e një proteste të zgjatur në bulevard, duke mos e përjashtuar mundësinë e ngritjes së një “çadre” përballë Kryeministrisë. Këtë e la të kuptohej qartë Klevis Balliu mbrëmjen e djeshme në emisionin e Ylli Rakipit, ku foli hapur për format e rezistencës së opozitës dhe objektivin politik të saj.

Balliu sqaroi se kur PD flet sot për “çadër”, nuk nënkupton ripërsëritjen mekanike të modelit të vitit 2017, por një qëndresë të re në bulevard, të përshtatur me kontekstin aktual politik. Sipas tij, kjo ide është diskutuar në forume të ndryshme brenda opozitës dhe gëzon jo vetëm mbështetje në strukturat e partisë, por edhe një lloj simpatie në opinionin publik.

“Kur flasim për çadër nuk nënkuptojmë çadrën e 2017. Ka patur disa diskutime në forume të ndryshme të opozitës, por një qëndresë në bulevard, e cila ka marrë mbështetje edhe nga opinioni publik dhe ka patur pëlqyeshmëri edhe brenda strukturave. Është opsion që nuk mund të anashkalohet,” tha Balliu.

Ai theksoi se opozita nuk po mbyll asnjë derë: protesta e zgjatur në bulevard është një opsion, por jo i vetmi. Sipas tij, PD do të vijojë betejën edhe brenda Parlamentit, duke kombinuar presionin institucional me atë qytetar.

Në qendër të strategjisë së opozitës, Balliu vendosi kërkesën për një qeveri teknike, tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për PD-në, suksesi nuk matet me rrëzimin e një qeverie dhe ardhjen e një tjetre, por me ndryshimin e rregullave të lojës politike.

“Kur flasim për sukses, nuk nënkuptojmë të ikë një qeveri dhe të vijë një tjetër, por qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme,” u shpreh ai, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për një proces zgjedhor të besueshëm dhe jo thjesht për rotacion pushteti.

Deklaratat e Balliut sugjerojnë se PD po e shikon rikthimin në bulevard jo si nostalgji për 2017-n, por si mjet presioni politik në një moment kur opozita pretendon se kushtet për zgjedhje të ndershme nuk ekzistojnë.

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të materializohet në një çadër të re përballë Kryeministrisë, apo në forma të tjera proteste më fleksibël. Ajo që duket e sigurt është se PD po përgatitet për një fazë më konfrontuese me qeverinë — si në rrugë, ashtu edhe në Parlament.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme