Politika 9 April 2026, 10:00 Nga VNA

7 Milionë Euro për të na marrë nën kontroll edhe firmat tona, a mund t'i besojmë AKSHIT edhe identifikimin e fundit?

Ndaje në Whatsapp
7 Milionë Euro për të na marrë nën kontroll edhe firmat

Qeveria shqiptare po nxiton të kalojë në Kuvend projektligjin e ri "Për identifikimin elektronik dhe portofolin e identitetit digjital", duke premtuar një epokë të re sigurie dhe modernizimi.

Por, pas premtimeve për "përafrim me BE-në", fshihet një faturë e kripur dhe një pyetje që shqetëson çdo qytetar: a është e sigurt t’i dorëzosh identitetin tënd digjital, firmën tënde, të mos e kesh në dorën tënde, por një institucioni që ka dështuar vazhdimisht të mbrojë të dhënat tona?

Fatura: 7 milionë euro vetëm për "mirëmbajtje"

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, analizuar nga VNA, kostoja totale e përllogaritur për një periudhë 10-vjeçare është 703,447,485 lekë (përfshirë TVSH-në). Nëse e kthejmë me kursin aktual, kjo faturë kap vlerën e rreth 7 milionë eurove. Këto para do të shkojnë kryesisht për mirëmbajtje dhe certifikime ISO.

Ajo që të tremb më shumë është fakti se kjo shifër konsiderohet vetëm si "indikatore orientuese". Vetë dokumenti pranon se në këtë 7-milionësh nuk janë përfshirë investimet e reja në hardware, software apo shtimi i stafit që do të administrojë portofolin. Pra, kjo është vetëm "hyrja" në një gropë financiare që mund të zgjerohet pa limit.

 

AKSHI, "kujdestari" që s'mbron dot veten

Institucioni i ngarkuar për ndërtimin dhe funksionimin e këtij portofoli është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Këtu lind edhe paradoksi më i madh. Ndërsa ligji pretendon të rrisë "besueshmërinë në transaksionet elektronike", historia e AKSHI-t tregon të kundërtën.

Është tashmë një fakt publik që AKSHI është nën akuzë nga SPAK si një "vatër" ku tenderat miliona eurosh kanë ngritur dyshime të forta për korrupsion dhe ndaheshin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, siç thonë prokurorët.

Mbi të gjitha, ky është institucioni që u gjunjëzua disa herë nga sulmet e hakerave iranianë, duke nxjerrë në shesh të dhënat më sensitive të shqiptarëve, nga pagat te targat e makinave. A mund të na kenë ata nën kontroll edhe firmat?

Kontrolli i shtetit mbi firmat tona?

Projektligji i ri i jep shtetit kompetenca të gjera për të menaxhuar në distancë pajisjet e krijimit të nënshkrimeve dhe vulave elektronike.

Në një vend ku sistemet digjitale bllokohen brenda natës nga sulmet e jashtme ose keqmenaxhimi i brendshëm, ideja që shteti do të ketë në dorë "çelësat" e firmave tona është sa absurde, aq edhe e rrezikshme.

Si mund të premtohet "integritet dhe siguri" kur infrastruktura ekzistuese ka treguar se është një kullë prej letre? Përpara se të kërkohen 7 milionë euro për një "portofol digjital", qytetarët duhet të pyeten: a jeni të gatshëm të nënshkruani me dorën e AKSHI-t?

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme