Opinion 12 January 2026, 09:43 Nga VNA

Tre fëmijë dhe një botë e rritur që gjen gjithmonë justifikime

Ndaje në Whatsapp
Tre fëmijë dhe një botë e rritur që gjen gjithmonë

Drama e tre fëmijëve të gjetur në gjendje të mjeruar mbrëmjen e së dielës nga policia në Durrës ishte kryefjala e lajmeve, ku si përherë palët e përfshira nisën akuzat dhe kundërakuzat në kurriz të tre qenieve të pafajshme.
Videot e shpërndara në rrjet, të cilat VNA i censuroi për shkak të të miturve që shfaqeshin në to, tregonin tre fëmijë në gjendje të tmerrshme, të paushqyer dhe të lënë në mëshirë të fatit prej ditësh.

Policia e Durrësit lau duart duke nisur procedim penal ndaj nënës së fëmijëve, e cila pas më shumë se tre ditësh që i kishte lënë të vegjlit në këtë situatë të mjerueshme, gjeti kohën dhe fuqinë të akuzonte vjehrrën, e cila sipas saj po i përdorte fëmijët kundër. Sepse zonja me inicialet B.B., 33 vjeçe nga Durrësi, me profesion kamariere, punonte, por thjesht “nuk kishte pasur kohë dhe mundësi” të kujdesej për fëmijët.

Por nuk mbaron me kaq.

Kjo dramë e dhimbshme familjare, ku varfëria dhe skamja janë kaq të pranishme dhe kaq të dhimbshme për jetën e tre të miturve, merret dhe përdoret për propagandë edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
“Do të mblidhet grupi ndërsektorial për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve”, shkruhet në deklaratën e ministrisë, ku sërish shfaqen – edhe pse me sytë e mbuluar – tre fëmijët që kalojnë dorë më dorë e derë më derë si plaçkë lufte. Njëherë mes familjarëve, pastaj policisë dhe më tej ministrisë së Shëndetësisë.

Si për të na kujtuar se humanizmi ka vdekur dhe bashkë me të edhe ndjeshmëria për të qenë, para së gjithash, njerëz, e për t’i ruajtur këta fëmijë nga përdorimi.

Sot ka dhjetëra, në mos qindra shqiptarë, të gatshëm t’i ndihmojnë këta fëmijë të ushqehen, të lahen, të vishen dhe të shkojnë në shkollë. Solidariteti nuk mungon. Por edukatën, sigurinë dhe dinjitetin nuk ua jep dot askush përveç familjes — dhe kur ajo dështon, shteti nuk ka të drejtë të bëjë propagandë, por vetëm detyrimin të mbrojë.
Sepse fëmijët nuk janë as alibi, as justifikim, as material për deklarata. Janë jetë që po rriten mes neglizhencës, varfërisë dhe indiferencës sonë kolektive.

Lexo gjithashtu

Video

Grumbullimi i të rinjve dhe studentëve ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kësaj proteste pritet t'i bashkohen edhe përfaqësues e mbështetës të PD, të cilët e kanë nisur nga Kryeministria. Situata paraqitet aktualisht e qetë dhe pa incidente. Forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke përfshirë edhe praninë e autobotave për mbarëvajtjen e rendit publik.

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme