Opinion 12 January 2026, 20:02 Nga VNA

Problemi nuk është më Rama apo Berisha, por sistemi që i mban të dy

Ndaje në Whatsapp

Problemi nuk është më Rama apo Berisha, por sistemi që i

Nga Ergys Mërtiri

Problemi sot nuk është më sesi të rrëzojmë Edi Ramën, por si të përmbysim sistemin e kapjes së shtetit të instaluar nga Rama dhe Berisha. Prej kohësh tashmë rotacioni mes tyre nuk sjell asnjë ndryshim, përveç përkeqësimit. Ata janë tashmë jo vetëm njësoj, por janë bashkë, pjesë e të njëjtit sistem, të cilin e mbajnë në këmbë së bashku, duke mbajtur në këtë mënyrë njëri-tjetrin. Sot më shumë se kurrë, fati i secilit prej të dyve është i lidhur pashmangshmërisht me fatin e tjetrit. Nëse bie njëri, bien të dy dhe askush prej tyre nuk mund të qëndrojë më vetëm.

Kjo në fakt po ndodh realisht. Ata po rrëzohen që të dy, falë SPAK-ut. Ai po ia ngushton rrethin Edi Ramës, duke ia prerë krahët me burgosjen e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Ndërkohë, SPAK po heton njëkohësisht edhe Berishën dhe njerëzit e tij, duke i dhënë opozitës një shans të shpëtojë nga kapja dhe përdorimi i saj për interesat e sistemit. Në këtë mënyrë SPAK po i jep fund tranzicionit 35-vjeçar, duke rrëzuar dy shtyllat e mëdha që e mbajnë në këmbë këtë sistem.

Protestat e Berishës realisht as nuk e dëmtojnë dot Edi Ramën. Përkundrazi, ato vetëm e ndihmojnë atë, pasi i japin arsye të thotë se kundër tij nuk është populli, por militantët e verbër të një force që nuk vjen dot në pushtet me votë.

Të vetmet protesta që e dëmtojnë këtë qeveri janë protestat qytetare, jopartiake. Por as ato nuk e rrëzojnë dot tashmë. Për sa kohë ai do ketë përballë Berishën, kjo qeveri nuk bie. Pikë së pari, populli nuk vjen të rrëzojë hajdutin e sotëm për të risjellë në pushtet hajdutin e djeshëm, të rrëzuar nga pushteti me një milion vota kundër; së dyti, ndërkombëtarët nuk investohen në një rotacion që e rikthen vendin aty ku ishte 13 vjet më parë.

Gjithsesi, protestat qytetare kanë një funksion të rëndësishëm në rrëzimin e Ramës bashkë me sistemin e tij, përfshirë edhe Berishën. Këto protesta e dobësojnë atë dhe e ekspozojnë përballë SPAK-ut. Duke u ngritur në këmbë kundër Ramës, qytetarët i japin legjitimitet hetimeve, të cilat i hapin rrugë prokurorëve të shkojnë lehtësisht drejt kreut të qeverisë.

Praktikisht kjo është arsyeja përse të gjithë faktorët e pengmarrjes së vendit (politikanë rreth Ramës dhe Berishës, oligarkë e përfaqësues të medias) sulmojnë egërsisht SPAK-un sikur ai të ishte e keqja më e madhe në këtë vend. Ata e dinë më mirë se kushdo se tek suksesi i tij gjendet vdekja e tyre, ndaj dhe e urrejnë kaq fort. Ata do ta kishin mbyllur që ditën e parë atë, nëse nuk do të ishte insistimi i ndërkombëtarëve që kjo prokurori të vazhdojë misionin e nisur.

Për këtë arsye, protestat janë ilaçi i duhur për të mbrojtur të vetmen shpresë që i ka mbetur këtij vendi për ndryshim. Kjo është arsyeja përse unë kam dalë në shesh dhe do vazhdoj të dal, natyrisht, jo në protestat e organizuara nga Berisha, por në çdo protestë tjetër kundër kësaj qeverie të kalbur.

Lexo gjithashtu

Video

Grumbullimi i të rinjve dhe studentëve ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kësaj proteste pritet t'i bashkohen edhe përfaqësues e mbështetës të PD, të cilët e kanë nisur nga Kryeministria. Situata paraqitet aktualisht e qetë dhe pa incidente. Forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke përfshirë edhe praninë e autobotave për mbarëvajtjen e rendit publik.

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme