Lifestyle 26 August 2025, 08:20 Nga VNA

Musk padit Apple dhe OpenAI: Akuza për prishje të konkurrencës

Ndaje në Whatsapp
Musk padit Apple dhe OpenAI: Akuza për prishje të konkurrencës

Dy kompani të mbështetura nga Elon Musk kanë paditur zyrtarisht Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar se kanë bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme për të bllokuar konkurrencën nga rivalët potencialë.

Padia, e depozituar në SHBA nga X dhe xAI, ka në shënjestër vendimin e Apple për të integruar chatbot-in e OpenAI në sistemet operative të iPhone-ve, një marrëveshje ekskluzive që – sipas tyre – shkel ligjin e konkurrencës.

Kjo lëvizje vjen pas kërcënimeve publike që Musk kishte bërë më herët këtë muaj, kur akuzoi Apple se favorizonte OpenAI në renditjen e aplikacioneve në App Store.

Apple nuk ka dhënë ende një koment, ndërsa OpenAI e cilëson padinë si pjesë të “sjelljes së vazhdueshme të ngacmimit nga Musk”.

Musk dhe Sam Altman themeluan së bashku OpenAI në vitin 2015, por më pas rrugët e tyre u ndanë, duke u kthyer në rivalë të hapur. Musk e ka akuzuar Altman se e ka larguar OpenAI nga misioni fillestar i së mirës publike, ndërsa vetë Musk ka krijuar kompani rivale si xAI dhe chatbot-in Grok.

Në padi, e cila është paraqitur në një gjykatë federale në Teksas, kompanitë e Musk pretendojnë se marrëveshja Apple–OpenAI nuk ka asnjë arsye të vlefshme biznesi për të qenë ekskluzive, duke argumentuar se ky bashkëpunim:

ka kufizuar konkurrencën mes chatbot-ëve gjenerues,
ka penguar rivalët të arrijnë shkallën e nevojshme të përdorimit,
ka ulur cilësinë dhe inovacionin.

Padia thekson gjithashtu se marrëveshja i dha ChatGPT një avantazh në App Store, duke rritur shkarkimet në krahasim me rivalët.

Sipas saj, OpenAI kontrollon rreth 80% të tregut të chatbot-ëve gjenerues në SHBA, ndërsa Apple zotëron rreth 65% të tregut të smartfonëve.

Apple dhe praktikat e saj në App Store kanë qenë shpesh objekt i betejave ligjore, përfshirë një padi të profilit të lartë kundër Google për çështje monopoli. Megjithatë, kompania ka mbrojtur vazhdimisht politikat e saj, duke thënë se janë “të drejta dhe paanshme”.

Pavarësisht marrëveshjes me OpenAI, rivalë si DeepSeek dhe Perplexity kanë arritur të kryesojnë herë pas here listat e aplikacioneve në App Store që nga viti 2024.

Ndërkohë, Apple raportohet gjithashtu se është në bisedime me Google për të përdorur chatbot-in Gemini si pjesë të përmirësimeve të asistentit zanor Siri.

Video

Këto janë momentet e tërheqjes së forcave të policisë serbe nga qendra e Beogradit, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të festuar fitoren zgjedhore të Listës Studentore. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njësi policore që largohen nga zona qendrore e kryeqytetit serb, mes brohoritjeve të qytetarëve të mbledhur pranë institucioneve shtetërore.

Një aksident është regjistruar në Brazil, ku një tren është përplasur me një vinç që ishte rrëzuar mbi shinat hekurudhore. Sipas informacioneve paraprake, vinçi ishte rrëzuar në trasenë ku po lëvizte treni, duke shkaktuar përplasjen. Si pasojë e incidentit, operatori i vinçit ka mbetur i plagosur.

Del pas shtatë orësh nga SPAK biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar për të 14-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme