Kronika 16 December 2025, 09:20 Nga VNA

Vrasja e shqiptarit në Itali, Fatos Cenaj, arrestohet fqinji, i dyshuari u zbulua nga blerjet online

Ndaje në Whatsapp
Vrasja e shqiptarit në Itali, Fatos Cenaj, arrestohet fqinji, i dyshuari u

Arrestohet fqinji i Fatos Cenajt, 58-vjeçarit shqiptar të qëlluar për vdekje me një plumb në kokë në fushat e Fontaniva-s, pak metra larg banesës së tij. Gjykatësi për hetimet paraprake i Padovës ka firmosur urdhrin e arrestit me burg ndaj fqinjit 45-vjeçar, i akuzuar për vrasje të rënduar.

Vendimtare për zbardhjen e krimit kanë qenë hetimet e karabinierëve dhe analizat shkencore të RIS-it të Parmës, të cilat çuan në identifikimin e autorit të dyshuar përmes pamjeve filmike, biçikletës së përdorur dhe blerjeve të dyshimta online.

Krimi

Ngjarja ndodhi në mëngjesin e 8 qershorit. Fatos Cenaj u gjet i shtrirë në tokë pranë triciklit të tij, përgjatë rrugës që lidhte banesën me një manegh ku kryente punë të rastit. Fillimisht u mendua se kishte pësuar një aksident, por ekzaminimet mjekësore zbuluan se ishte qëlluar me armë zjarri në kokë. Pas tre ditësh agoni në spitalin e Padovës, 58-vjeçari ndërroi jetë.

Hetimet

Hetimet u përqendruan fillimisht te jeta personale e viktimës. Ish-punonjës i policisë penitenciare në Shqipëri, Cenaj bënte një jetë të qetë dhe të rezervuar, pa konflikte apo lidhje problematike. E vetmja hije dyshimi lidhej me raportet e tensionuara, por deri atëherë banale, me familjen fqinje.

Çiklisti i maskuar

Pika e kthesës erdhi nga analizimi i kamerave të sigurisë. Pamjet treguan se, në të njëjtin itinerar me viktimën, kishte lëvizur edhe një burrë me biçikletë malore, i cili e kishte kryqëzuar Cenajn pranë vendit të vrasjes. Çiklisti ishte i maskuar në mënyrë të pazakontë për një mëngjes vere: helmetë, syze të errëta, maskë-respirator dhe “tatuazhe” në të dy krahët, që më pas rezultuan të ishin mëngë artificiale.

Gjurmët çojnë te fqinji

Hetuesit zbuluan se këto mjete maskimi, së bashku me aksesorë për modifikimin e biçikletës dhe materiale për ndërtimin artizanal të armëve, ishin blerë në muajt e mëparshëm në “Amazon” nga fqinji 45-vjeçar i viktimës. Gjatë një kontrolli në banesën dhe hangarin e tij, u gjetën pjesë të këtyre materialeve, si dhe maja plumbash të prodhimit artizanal.

Ekspertët e RIS-it të Parmës konfirmuan përputhjen mes objekteve të blera online, pamjeve filmike dhe gjurmëve të të shtënave të gjetura në biçikletën e të dyshuarit. Po ashtu, u rindërtua me saktësi itinerari i autorit, nga momenti i vrasjes deri te arratisja drejt argjinaturës së lumit Brenta.

Arrestimi dhe marrja në pyetje

Në mëngjesin e 13 dhjetorit u ekzekutua masa e sigurisë dhe 45-vjeçari u arrestua. Ai nuk ka precedentë penalë dhe deri tani ka zgjedhur të heshtë. Arma e krimit dhe plumbi fatal nuk janë gjetur, por sipas ekspertëve, Cenaj është qëlluar pas veshit nga një distancë më e vogël se dhjetë metra.

 

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme