Kronika 27 October 2025, 17:19 Nga VNA

“SPAK nën presion nga krimi, politika dhe media”, Dumani në Kuvend: Numri i ulët i denoncimeve nga institucionet publike

Ndaje në Whatsapp
“SPAK nën presion nga krimi, politika dhe media”, Dumani

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar sot në Kuvend mbi punën e SPAK gjatë vitit 2024, duke evidentuar sfidat dhe problematikat me të cilat është përballur institucioni. Ai vuri theksin te presioni i jashtëm që ushtron krimi i organizuar, politika dhe media ndaj SPAK, çka sipas tij ndikon drejtpërdrejt në efektivitetin e hetimeve dhe në pavarësinë kushtetuese të prokurorëve të posaçëm.

Dumani tha se nevojitet një reagim më i koordinuar i institucioneve shtetërore për të mbrojtur integritetin e SPAK dhe të prokurorëve që hetojnë çështje të ndjeshme. Ai rikujtoi gjithashtu se vijon të mos jetë i përcaktuar qartë statusi i prokurorëve pas përfundimit të mandatit të tyre, çka sipas tij mund të cënojë vijimësinë e standardeve profesionale të hetimit.

Në raportin e paraqitur, kreu i SPAK listoi disa çështje që mbeten problematike, mungesa e këshilltarëve ligjorë pranë prokurorisë së posaçme, që ndikon në cilësinë e hetimeve, numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, përfshirë Policinë e Shtetit, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, pezullimi i projektit për përfundimin e sistemit të administrimit të çështjeve (Case Management System), i cili pritet të finalizohet gjatë vitit 2025 me financim të BE-së.

Dumani theksoi gjithashtu se mbetet një sfidë ngritja e një njësie analize për hetimet komplekse, që do të mbështesë punën e SPAK në raportimet ndaj institucioneve vendase dhe ndërkombëtare. Ai nënvizoi edhe problematikën që lidhet me statusin e specialistëve ndërlidhës dhe me mungesën e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja mbi njohjen e vendimeve penale në Shqipëri.

Në fund, kreu i SPAK rikujtoi se vijon të mbetet e pazgjidhur edhe çështja e mos-ekstradimit të shtetasve shqiptarë të arrestuar ose lokalizuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, problem i përsëritur edhe në raportin e vitit 2023.

 

Video

Teksa Gentian Gjyli ish-kreu i ARRSH del nga SPAK një qytetar i drejtohet me fjalët: S'ju vjen turp që keni vjedhur lekët e popullit!

🔴LAJM I FUNDIT/ Flakadanët u kushtojnë dy muaj jashtë Kuvendit pesë demokratëve, Berisha përjashtohet për 10 ditë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme