Kronika 9 March 2026, 14:36 Nga VNA

SPAK ndryshon strategjinë: 37% e hetimeve nisin nga vetë prokuroria, 87% e të pandehurve shpallen fajtorë

Ndaje në Whatsapp

SPAK ndryshon strategjinë: 37% e hetimeve nisin nga vetë prokuroria,

Raporti vjetor i Struktures së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i dorëzuar në Kuvend dhe i siguruar nga VNA, zbulon disa tregues që tregojnë një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si po funksionon institucioni.

Shifrat tregojnë një SPAK më proaktiv në nisjen e hetimeve, një shkallë të lartë suksesi në gjykatë dhe një rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar për ndjekjen e krimit të organizuar.

Një SPAK më agresiv: 37% e hetimeve nisën pa denoncim

Një nga të dhënat më domethënëse lidhet me mënyrën se si nisin hetimet. Nga 294 procedime të reja penale të regjistruara gjatë vitit 2025, 37% janë nisur kryesisht nga vetë SPAK, pa një kallëzim apo denoncim të mëparshëm.

Ky tregues është pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2024, kur vetëm 19.8% e procedimeve nisnin me iniciativën e vetë prokurorisë.

Në të njëjtën kohë, raporti tregon se edhe besimi i qytetarëve tek institucioni mbetet i lartë, pasi 33.5% e hetimeve kanë nisur nga kallëzimet e bëra drejtpërdrejt nga qytetarët.

Efektivitet i lartë në Gjykatën e Posaçme

Rezultatet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tregojnë një shkallë të lartë suksesi për prokurorët.

Gjatë vitit 2025, 87% e vendimeve kanë qenë vendime fajësie, ndërsa vetëm 13% e të pandehurve janë shpallur të pafajshëm.

Në total, gjatë këtij viti janë dhënë 66 vendime dënimi, duke çuar në 197 persona të dënuar.

Krimi shqiptar përtej kufijve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Shtrirja e grupeve kriminale shqiptare jashtë vendit ka bërë që SPAK të intensifikojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë dërguar 156 kërkesa për ndihmë juridike jashtë vendit, ndërsa janë trajtuar 95 kërkesa të ardhura nga autoritetet e huaja.

Zgjerimi i BKH-së

Për të përballuar rritjen e volumit të hetimeve, Byroja Kombëtare e Hetimit pritet të zgjerohet.

Gjatë vitit 2026, numri i hetuesve të BKH-së pritet të rritet nga 60 në 100 hetues, një hap që synon të përshpejtojë hetimet ndaj grupeve kriminale dhe aferave të mëdha korruptive.

Raporti i dorëzuar në Kuvend tregon se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar po hyn në një fazë të re, ku hetimet po nisin gjithnjë e më shpesh nga vetë institucionet dhe po mbështeten në bashkëpunim ndërkombëtar dhe kapacitete më të mëdha hetimore.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme