Kronika 24 February 2026, 20:06 Nga VNA

Reshjet e shiut nxjerrin në pah cilësinë e dobët të punimeve në disa akse rrugore

Ndaje në Whatsapp

Reshjet e shiut nxjerrin në pah cilësinë e dobët të

Cilësia e dobët e punimeve në disa akse rrugore të vendit ka bërë që, pas reshjeve të fundit të shiut, segmente të rëndësishme të pësojnë dëmtime serioze, duke vështirësuar qarkullimin e qytetarëve deri në bllokimin e plotë të tyre.

Aksi më problematik është Librazhd–Prrenjas, i cili aktualisht është i pakalueshëm për shkak të dëmtimeve të rënda në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”. Situata ka izoluar disa qytete të juglindjes nga pjesa tjetër e vendit. Dyshohet se rrëshqitja e dheut është shkaktuar nga punimet që po kryhen në gjurmën e re të ndërtimit në kuadër të Korridorit VIII, si dhe nga gërmimet për inerte në lumin Shkumbin. Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) e mohon këtë pretendim, duke ia atribuar dëmtimet reshjeve të shiut. Si zgjidhje, institucioni ka propozuar ndërtimin e një rruge alternative përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit Shkumbin, por pa një afat konkret për përfundimin e punimeve. Për pasojë, kaosi në juglindje pritet të zgjasë për disa muaj.

Probleme ka shfaqur edhe aksi Boboshticë–Dardhë, ku janë konstatuar çarje anësore të trupit të rrugës. Ky segment lidh fshatin Boboshticë me zonën turistike të Dardhës dhe përbën një nyje të rëndësishme për qarkullimin në zonën e Korçës. Rreth pesë vite më parë, segmenti iu nënshtrua një riveshjeje me asfalt në kuadër të një investimi të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me synim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore. Dëmtimet e konstatuara aktualisht ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve të realizuara.

Edhe rruga Maliq–Lozhan–Strelcë, e inauguruar thuajse një vit më parë, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në disa segmente. Përveç dëmtimit të pritave anësore, asfalti paraqet çarje, ndërsa në disa pjesë vihet re ulje e shtresës rrugore dhe rrëshqitje e skarpateve anësore, duke e bërë qarkullimin problematik për drejtuesit e mjeteve. Dëmtimet kanë nisur pak kohë pas përfundimit të punimeve, duke shtuar dyshimet mbi cilësinë e zbatimit të projektit.

Problematike paraqitet edhe rruga Vllahinë–Poçem, e cila ka pësuar dëmtime të asfaltit në disa segmente, me çarje të gjata dhe të thella që vështirësojnë lëvizjen e automjeteve. Edhe pse nuk ka mbushur ende dy vite nga ndërtimi, rruga paraqet tashmë probleme serioze strukturore.

Ndërkohë, unaza e poshtme e qytetit të Burrelit është aktualisht jashtë funksionit, duke prekur drejtpërdrejt edhe banorët që jetojnë përgjatë saj. Rruga ka pësuar katër shembje, dy prej të cilave kanë dëmtuar tërësisht trupin e karrexhatës. Shumë banorë e kanë të pamundur të hyjnë me automjete pranë banesave të tyre, ndërsa vijimi i shembjeve ka vënë në rrezik edhe vetë shtëpitë.

Rikonstruksioni i kësaj unaze i kushtoi ARRSH-së rreth 1.3 miliardë lekë. Edhe pse punimet përfunduan vitin e kaluar, segmenti nuk u vu në funksion të plotë, pasi dëmtimet nisën që me reshjet e para të vjeshtës së vitit 2025.

Reshjet e shiut nxjerrin në pah cilësinë e dobët të

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme