Kronika 13 March 2026, 15:37 Nga VNA

Një minator plagoset në minierën e Spaçit, sindikata akuzon kompaninë për sigurinë

Ndaje në Whatsapp

Një minator plagoset në minierën e Spaçit, sindikata

Plagosja e një minatori në minierën e bakrit në Spaç të Mirditës ka risjellë në vëmendje problemet me kushtet e sigurisë në minierë për të cilat minatorët protestuan një vit më parë.

Një 48-vjeçar ka mbetur i plagosur gjatë natës në minierën e bakrit në Spaç të Mirditës pas shkëputjes së një masivi shkëmbor, në një aksident që ka rikthyer në vëmendje kushtet e vështira të punës në galeritë e menaxhuara nga kompania turke “Tete Albania”.

Aksidenti në punë ndodhi ndërsa minatori Edmond Gjikolaj, banues në Rrëshen, ishte duke punuar në nëntokë së bashku me kolegë të tjerë për nxjerrjen e mineralit të bakrit. Sipas të dhënave paraprake, shkëputja e papritur e shkëmbit e ka zënë poshtë 48-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime të shumta trupore.

Gjikolaj u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Burime spitalore bënë me dije se aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia lokale, e drejtuar nga Prokuroria dhe Inspektoriati Shtetëror i Punës, kanë nisur një hetim të përbashkët. Autoritetet po verifikojnë kushtet e sigurisë dhe zbatimin e rregullave të sigurimit teknik brenda galerisë ku u regjistrua aksidenti.

Ngjarja pason një seri ankesash nga punëtorët e kësaj miniere. Gjatë vitit të kaluar, minatorët e Spaçit mbajtën greva dhe protestuan për më shumë se dy muaj radhazi, duke denoncuar publikisht kushtet tejet të vështira të punës në nëntokë dhe pagat e ulëta të ofruara nga “Tete Albania Tunnel & Mining” sh.a., kompania që shfrytëzon vendburimin përmes një kontrate koncesionare.

Pas incidentit të fundit ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Përmes një deklarate publike, KSSH shprehu solidaritet me minatorin e plagosur dhe familjen e tij, ndërsa theksoi se ky aksident nuk është një rast i izoluar.

Sipas sindikatës, ngjarja është pasojë e drejtpërdrejtë e problemeve të vazhdueshme me sigurinë në punë në këtë minierë. KSSH akuzoi kompaninë “Tete Albania Tunnel & Mining” sh.a. për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë, duke kërkuar një hetim të plotë dhe transparent, si dhe vënien para përgjegjësisë të institucioneve mbikëqyrëse dhe vetë kompanisë./BIRN/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme