Kronika 7 March 2026, 15:58 Nga VNA

KLSH zbulon skandalin, të dënuarit punuan në burgje në tri vite, por nuk iu paguan sigurime shoqërore

Ndaje në Whatsapp

KLSH zbulon skandalin, të dënuarit punuan në burgje në tri

Punësimi i të burgosurve në Shqipëri vijon të mos shoqërohet me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke bërë që periudha e punës së tyre gjatë vuajtjes së dënimit të mos njihet si periudhë sigurimi për pension apo përfitime të tjera sociale. Kjo është një nga problematikat e evidentuara në auditimin e performancës të Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar për periudhën 2022–2024.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe rreth 891 të dënuar kanë punuar në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, kryesisht në shërbime të brendshme të burgjeve. Megjithatë, puna e tyre nuk shoqërohet me një skemë të plotë sigurimesh shoqërore, çka do të thotë se periudha e punës në burg nuk u njihet për qëllime pensioni apo mbrojtjeje sociale.

Të dhënat e auditimit tregojnë se punësimi i të burgosurve ka pësuar luhatje nga viti në vit. Në vitin 2022 kanë punuar 190 të dënuar, ndërsa në vitin 2023 numri i tyre është rritur në 468 persona, ose 278 më shumë, duke shënuar një rritje prej 246%. Në vitin 2024 numri i të dënuarve të punësuar ka rënë në 233 persona.

Për punën e kryer nga të dënuarit gjatë kësaj periudhe janë paguar gjithsej 50,374,097 lekë.  Paga mesatare për këtë kategori rezulton 56,537 lekë në vit, ose rreth 4,712 lekë në muaj për periudhën e analizuar.

Në vitin 2024 është konstatuar një rritje e pagesës për punën e kryer nga të burgosurit, ku paga mesatare ka arritur në 101,218 lekë në vit, ose rreth 8,435 lekë në muaj, megjithatë kjo nuk ndryshon faktin se puna e tyre nuk lidhet me kontribute sigurimesh shoqërore.

Auditimi evidenton gjithashtu se në shumë raste punësimi i të dënuarve nuk është i formalizuar në mënyrë të plotë. Në institucionet e burgjeve mungojnë planifikimi mujor i punës, organika e punës dhe kontratat e nënshkruara për të dënuarit që punojnë, çka e bën edhe më të vështirë njohjen e të drejtave të tyre si punonjës.

Sipas raportit, mungesa e një sistemi të strukturuar të punësimit dhe e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dobëson efektin rehabilitues të punës në burgje. Edhe pse punësimi konsiderohet një nga faktorët kryesorë për riintegrimin e ish-të dënuarve në shoqëri dhe në tregun e punës, një pjesë e madhe e tyre dalin nga burgu pa histori sigurimesh dhe pa përvojë të formalizuar pune.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se përmirësimi i programeve të punësimit në burgje dhe krijimi i një mekanizmi për njohjen dhe pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për të burgosurit që punojnë do të ishte një hap i rëndësishëm për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre pas lirimit nga burgu./Ekofin.al/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme