Kronika 10 December 2025, 14:58 Nga VNA

Goditi grupin Rraja, SPAK reagim zyrtar. Ja çfarë u gjet gjatë kontrolleve, nga qindra mijëra euro te jelekët antiplumb

Ndaje në Whatsapp

Goditi grupin Rraja, SPAK reagim zyrtar. Ja çfarë u gjet gjatë

Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht pas goditjes së grupit “Rraja”. Në njoftimin për mediat, SPAK thotë se janë ekzekutuar masat e sigurimit ndaj 10 personave nën hetim për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Mes të arrestuarve është Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.

SPAK informon se në pranga kanë rënë shtetasit: Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, Jani Çavo, Islam Sefa alias Islam Xaka, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, Sokol Qaja dhe Marvin Bushati alias Marvin Kopliku, të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Gjatë kontrolleve të kryera nga policia u sekuestruan, 415.000 euro, 7.000 dollarë amerikanë, 1 milion lekë, 11 telefona celularë, 3 automjete luksoze (BMW X5, Range Rover, Volkswagen Golf 6), një armë zjarri, një jelek antiplumb, dylbi, orë ROLEX, DVR dhe dokumente të ndryshme.

Hetimet zbuluan se grupi trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Turqisë dhe Gjermanisë, si dhe lëndë të ardhura nga Amerika e Jugut drejt Bashkimit Europian. Komunikimet mes të dyshuarve u realizuan përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”, të analizuar nga autoritetet franceze.

Të arrestuar gjatë aksionit të sotëm:

Marvin Bushati

Agim Nina alias Lorenc Selmani

Sokol Qaja

Gazmir Rraja

Perparim Rraja

Rexhep Rraja

Zamir Aliaj

Të arrestuar më herët:

Islam Sefa

Jani Çavo

Aldo Gjini

Në kërkim:

Ervis Shuli

Në kërkim për vepra tjera trafik droge me Gjermaninë për disa episode:

Bujar Sefa

Hajdar Sefa

Vildan Baroku

Njoftimi i SPAK:

SPAK ekzekuton masat e sigurimit ndaj 10 të hetuarve në kuadër të procedimit për trafik narkotikësh

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit nr.9 të vitit 2024, për caktimin e masës së sigurimit ndaj 14 shtetasve, nën hetim për veprat penale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike,  kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme me vendimin e saj nr. 124, datë 9.12.2025 vendosi pranimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Sot, më 10.12.2025, strukturat e  Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimi personal vetëm për 10 (dhjetë) personat nën hetim: I. S.(alias X.,), R. Rr., A. N (alias L. S.,), P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.,), A. Gj.(alias I.,), A. Q., J. Ç., dhe M. B.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dhe punohet me strukturat e policisë së shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë për arrestimin e personave nën hetim B. S. (alias X), H. S (alias X, alias L.,), V. B., të cilët kanë qenë të shpallur më parë në kërkim apo të dënuar në mungesë për konsumimin e veprave të tjera penale, si dhe i hetuari E. Sh., ndodhet jashtë shtetit.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës. Policia gjyqësore ka ekzekutuar 11 (njëmbëdhjetë) vendimet e Gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara deri në këto momente, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

415.000 Euro

7000 Dollarë Amerikanë

1.000.000 Lekë

11 aparate telefonash celularë

3(tre) automjete të markave të ndryshme si (BMË X-5, Range Rover, Volksëagen golf 6),

1(një) armë zjarri model Glock me 9 fishekë

1(një) jelek antiplumb

1(një) palë dylbi

1(një) orë ROLEX

1(një) DVR, si dhe dokumente të ndryshme.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 18.1.2024 ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 9 të vitit 2024, për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal, pa autor.

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet europiane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për të cilat janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.

Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyEÇ”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.

Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 (katërmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë nën hetim: I. S. (alias X.), E. Sh., R. Rr., B. S. (alias X.), A. N. (alias L. S.), H. S. (alias X., alias L.), V. B., P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.), A. Gj. (alias I.), A. Q., J. Ç. dhe M. B., të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale, sipas episodeve të paraqitura më poshtë.

–      Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

–      Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

–      Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.

Gjithashtu, të hetuarit M. B., më datë 10.12.2025, iu sekuestrua, ndër të tjera, një armë zjarri model “Glock”, dhe është arrestuar në flagrancë për veprën penale;“Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë (neni 278/4 i Kodit Penal), gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë gjermane, franceze, holandeze, belge, malazeze, turke, ekuadoriane, si edhe Eurojust, Europol,  për mbështetjen e dhënë për SPAK.

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme