Histori të harruara 10 August 2025, 16:32 Nga VNA

Si vdiq imzot Vinçenc Prenushi nga torturat e Sigurimit të Shtetit në burgun e Durrësit

Ndaje në Whatsapp
Si vdiq imzot Vinçenc Prenushi nga torturat e Sigurimit të Shtetit

Vinçenc Prennushi (1885–1949) ishte një nga figurat më të shquara të kulturës dhe fesë në Shqipëri – klerik françeskan, poet, publicist, përkthyes, studiues dhe mbledhës i folklorit. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885, me emrin Kolë, dhe në moshën 15-vjeçare hyri në kuvendin françeskan të qytetit. Studimet i përfundoi në Tirol të Austrisë, ku u shugurua meshtar më 1908 dhe mori emrin Vinçenc.

I njohur për zotërimin e shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, ai botoi përmbledhjen poetike “Gjeth e Lule” (1924), u bë drejtues i botimeve si “Hylli i Dritës”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” e “Zani i Shna Ndout” dhe përktheu autorë të shquar, përfshirë romanin “Quo Vadis?” të Henryk Sienkiewicz. Prennushi mblodhi dhe botoi këngë popullore nga veriu i Shqipërisë, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë gojore.

Më 1940 u emërua kryepeshkop i Durrësit, një nga postet më të larta të Kishës Katolike shqiptare. Ndonëse nuk ishte aktiv politikisht, pas vendosjes së regjimit komunist u arrestua më 1947 me akuza për “lidhje me agjentë të huaj dhe klerikë reaksionarë” dhe u dënua nga gjykata ushtarake me 20 vjet burg e punë të rëndë.

Në burgun e Durrësit, Imzot Prennushi iu nënshtrua torturave çnjerëzore, pavarësisht moshës dhe problemeve shëndetësore. Shkrimtari Arshi Pipa, bashkëvuajtës i tij, e ka përshkruar si njeri të butë, të qetë dhe të devotshëm, larg interesave politike, por të palëkundur në qëndrimet e tij. Pipa rrëfen se e kishte parë të lidhur e të varur në nevojtore nga Sigurimi, një skenë që e mbajti gjallë në kujtesë gjithë jetën si simbol i mizorisë komuniste dhe qëndresës shpirtërore.

Më 19 mars 1949, i sëmurë nga zemra dhe azma, Prennushi ndërroi jetë në spitalin e burgut. Arshi Pipa kujton se ia mbylli vetë sytë e lodhur pas vuajtjeve, duke parë në fytyrën e tij një ndriçim të pazakontë, si shenjë e paqes që pasoi mundimet.

I nderuar nga të gjithë, pa dallim feje – myslimanët e quanin “melek” (engjëll) – Vinçenc Prennushi mishëroi përkushtimin ndaj fesë, atdheut dhe kulturës kombëtare. Më 5 nëntor 2016, ai u shpall i Lum nga Kisha Katolike në Shkodër, së bashku me 37 martirë të tjerë të komunizmit, si dëshmi e qëndresës dhe idealeve të tyre.

Figura e tij mbetet simbol i krenarisë kombëtare dhe i virtyteve njerëzore, duke dëshmuar se, edhe në errësirën e dhunës dhe shtypjes, ideali për atdheun, lirinë dhe dashurinë për të afërmin nuk mund të shuhen.

Lexo gjithashtu

Video

Këto janë momentet e tërheqjes së forcave të policisë serbe nga qendra e Beogradit, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të festuar fitoren zgjedhore të Listës Studentore. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njësi policore që largohen nga zona qendrore e kryeqytetit serb, mes brohoritjeve të qytetarëve të mbledhur pranë institucioneve shtetërore.

Një aksident është regjistruar në Brazil, ku një tren është përplasur me një vinç që ishte rrëzuar mbi shinat hekurudhore. Sipas informacioneve paraprake, vinçi ishte rrëzuar në trasenë ku po lëvizte treni, duke shkaktuar përplasjen. Si pasojë e incidentit, operatori i vinçit ka mbetur i plagosur.

Del pas shtatë orësh nga SPAK biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar për të 14-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme