Histori të harruara 25 September 2025, 13:46 Nga VNA

“Mos më largoni nga Berati” – kërkesa dhe dëshmia e Flamur Vrionit në vitin 1967

Ndaje në Whatsapp

“Mos më largoni nga Berati” – kërkesa dhe

Më 24 prill 1967, Flamur Vrioni nga Berati u ul dhe shkroi një letër drejtuar Enver Hoxhës. Ishte 50 vjeç, banues në lagjen “Çlirimi”, dhe ndodhej përballë një vendimi që i ndryshonte jetën: shpërngulja nga qyteti i tij i lindjes drejt një fshati ku do të duhej të punonte në kooperativë bujqësore.

Në letrën e tij, Flamuri tregon historinë e familjes dhe arsyet pse kërkonte të mbetej në Berat. Ai shpjegon se vinte nga një familje qytetare e shtresës së mesme. I ati, Neshati, kishte pasur tokë, por kjo pasuri nuk ishte trashëguar tek ai. Përkundrazi, në vitin 1943, Neshati u ekzekutua nga Balli Kombëtar, ndërsa Flamuri vetë u internua në Opar të Korçës.

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, siç shkruan, kishte mbajtur “qëndrim të mirë politik” dhe nuk ishte përfshirë në asnjë organizatë. Megjithatë, pas çlirimit u arrestua edhe nga organet e pushtetit të ri, por u shpall i pafajshëm. Për vite më pas, ai këmbëngul se kishte vazhduar të jetonte si qytetar korrekt, gjë që mund ta vërtetonte çdo organizatë e lagjes.

Në gusht 1966, kur disa fshatarë kishin braktisur kooperativat dhe ishin vendosur në Berat, edhe atij iu komunikua se duhej të largohej. Vendimi e dërgonte në fshatin Arrëz, ku dikur i ati kishte pasur tokë. Por Flamuri i shkruan Hoxhës se nuk ishte marrë kurrë me bujqësi, nuk dinte punë të tilla dhe, mbi të gjitha, ishte i paaftë për punë të rënda fizike. Për këtë sillte si provë raportin mjekësor dhe faktin që në vitin 1950 ishte liruar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Letra e tij është një rrëfim i gjatë dhe i përulur, ku çdo fjali përpiqet të mbrojë të drejtën e tij për të jetuar në truallin ku kishin jetuar gjyshërit e stërgjyshërit. Ai e paraqet veten jo si kundërshtar, por si qytetar i devotshëm që kërkon mirëkuptim: të mos e shkëpusin nga lagjja dhe shtëpia ku kishte lindur dhe rritur familjen.

Ky apel personal i Flamur Vrionit është një copëz e gjallë e realitetit të asaj kohe, ku njerëzit shpesh i drejtoheshin vetë udhëheqësit suprem për të shpëtuar nga vendime që vendosnin fatin e tyre. Dhe mes rreshtave të letrës së tij dëgjohet qartë një thirrje e thjeshtë:

“Mos më nxirrni nga Berati.”

“Mos më largoni nga Berati” – kërkesa dhe

“Mos më largoni nga Berati” – kërkesa dhe

 

Lexo gjithashtu

Video

Del pas shtatë orësh nga SPAK biznesmeni Behgjet Pacolli.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar për të 14-ën ditë radhazi protestën kundër qeverisë.

Momenti kur policia qëllon me plumb gome në sy Erjon Vishkullin. Kujdes! Pamje të rënda.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme