Bota 7 October 2025, 21:39 Nga VNA

Zbulohet misteri pas bllokimit të aeroportit në Lituani/ Transport cigaresh kontrabandë me balona, autoritetet dyshuan për cenim të sigurisë

Ndaje në Whatsapp
Zbulohet misteri pas bllokimit të aeroportit në Lituani/ Transport

Autoritetet lituaneze kanë bërë të ditur se bllokimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vilniusit gjatë fundjavës ka qenë pasojë e një incidenti të pazakontë, pasi në hapësirën ajrore të vendit u konstatuan balona meteorologjike që transportonin cigare kontrabandë nga Bjellorusia fqinje. Sipas zyrtarëve të Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, ky incident detyroi mbylljen e përkohshme të aeroportit për disa orë, duke ndikuar në rreth 6,000 pasagjerë dhe 30 fluturime që u pezulluan ose u devijuan për arsye sigurie.

Policia lituaneze konfirmoi se ka gjetur 11 balona dhe rreth 18,000 pako cigaresh të kontrabanduara në zona të ndryshme të vendit. Zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, Darius Buta, tha se dy nga këto balona kanë fluturuar mbi Aeroportin e Vilniusit, duke shkaktuar alarm për një ndërhyrje të mundshme ajrore të paligjshme.

“Dy nga balonat e identifikuara, të cilat kontrabandistët i përdorin shpesh për transportin e mallrave të paligjshme nga Bjellorusia, kaluan mbi hapësirën ajrore të aeroportit, çka detyroi autoritetet të ndalonin përkohësisht fluturimet për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe të infrastrukturës,” deklaroi Buta.

Sipas të dhënave paraprake, deri në 25 balona janë parë duke fluturuar mbi territorin e Lituanisë nga ora 20:45 të së shtunës deri në orën 04:30 të mëngjesit të së dielës. Ngjarja ndodhi në një kohë kur vendet evropiane janë në gjendje gatishmërie të lartë, për shkak të rritjes së numrit të incidenteve me dronë të paligjshëm në hapësirat ajrore të vendeve të BE-së. Udhëheqësit evropianë kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje dhe provokime ajrore, përfshirë një incident masiv me dronë në Poloni muajin e kaluar – pretendim të cilin Moska e ka mohuar kategorikisht.

Kujtojmë se më 10 korrik 2025, autoritetet lituaneze kishin gjetur një dron Gerbera të prodhuar në Rusi, që kishte hyrë në territorin e tyre nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Moskës. Një tjetër incident i ngjashëm u regjistrua në fund të korrikut, kur një dron u rrëzua në një poligon stërvitjeje ushtarake më 28 korrik, dhe një tjetër u zbulua në fillim të gushtit.

Në përgjigje të këtyre shkeljeve ajrore, Lituania shpalli një zonë ndalimi fluturimi prej 90 kilometrash përgjatë kufirit me Bjellorusinë, me qëllim që forcat e armatosura të kenë mundësi të reagojnë menjëherë dhe të rrëzojnë dronët pa pilot që shkelin hapësirën ajrore të vendit.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme