Bota 28 September 2025, 07:54 Nga VNA

Trump urdhëron dërgimin e trupave në Portland, autorizon “përdorimin e forcës së plotë”

Ndaje në Whatsapp
Trump urdhëron dërgimin e trupave në Portland, autorizon

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar dislokimin e trupave federale në Portland, Oregon, duke autorizuar përdorimin e “forcës së plotë” nëse është e nevojshme, me qëllim shtypjen e protestave kundër qendrave të paraburgimit të emigrantëve.

“Kam urdhëruar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, të sigurojë të gjitha forcat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta,” deklaroi Trump në rrjetin Truth Social, duke shtuar se masa synon mbrojtjen e objekteve të ICE që “janë nën sulm nga Antifa dhe terroristë të tjerë të brendshëm”.

Njoftimi ka ngjallur reagime të ashpra nga zyrtarët demokratë, të cilët e kanë cilësuar vendimin si abuzim me pushtetin.

“Nuk ka asnjë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare në Portland. Komunitetet tona janë të qeta,” tha guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek. Ajo njoftoi se është duke u konsultuar me Prokurorin e Përgjithshëm të shtetit për hapat ligjorë që mund të ndërmerren. “Do të jemi të përgatitur të reagojmë nëse duhet,” shtoi ajo.

Pentagoni deklaroi se është i gatshëm të mobilizojë personel ushtarak në mbështetje të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), por mbetet e paqartë nëse Trump do të aktivizojë Gardën Kombëtare apo ushtrinë e rregullt. Nuk është sqaruar as çfarë përfshin konkretisht urdhri për “përdorim të forcës së plotë”.

Qendra e Përpunimit të ICE në Portland ka qenë objekt protestash që prej fillimit të muajit qershor, shpeshherë të shoqëruara me përplasje. Sipas Prokurorisë Federale, deri më 8 shtator janë ngritur akuza ndaj 26 personave për vepra si zjarrvënie dhe sulm ndaj oficerëve.

DHS pretendon se demonstruesit kanë “rrethuar dhe sulmuar vazhdimisht” godinën e ICE. Në rrjetin X, departamenti akuzoi grupin Rose City Antifa – të sapo shpallur nga Trump si organizatë terroriste – për publikimin e adresave të oficerëve dhe dërgimin e kërcënimeve me vdekje.

Megjithatë, ekspertët ligjorë theksojnë se ligji amerikan nuk parashikon një mekanizëm zyrtar për shpalljen e një grupi si organizatë terroriste të brendshme, çfarë mund të përbëjë shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës.

Senatori Ron Wyden paralajmëroi se mund të përsëritet “skenari i vitit 2020”, kur trupat federale u përdorën për të shtypur protestat pas vrasjes së George Floyd. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e “përpjekjeve të Trump për të nxitur dhunë”.

Ligjvënës të tjerë demokratë akuzuan ICE për arrestime të padrejta, duke sjellë shembuj si ndalimi i një babai para çerdhes së fëmijës dhe arrestimi i një zjarrfikësi vullnetar gjatë shuarjes së zjarreve.

Megjithatë, disa zyrtarë republikanë e përshëndetën vendimin. Ish-kongresistja Lori Chavez-DeRemer e quajti Portlandin “zonë lufte të mbërthyer nga ligësia” dhe falënderoi Trump “që po mbron objektet e ICE”.

Më herët gjatë vitit, Trump ka dërguar Gardën Kombëtare edhe në Los Anxhelos dhe Uashington DC për të përballuar trazirat lidhur me emigracionin. Një gjykatë federale në Kaliforni e shpalli ndërhyrjen në Los Anxhelos të paligjshme, duke konstatuar shkelje të Aktit Posse Comitatus, i cili kufizon përdorimin e ushtrisë për çështje të brendshme.

 

Rrjedhimisht, mbetet e paqartë nëse presidenti ka bazë ligjore për dislokimin e forcave federale në Oregon.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme