Bota 5 September 2025, 20:42 Nga VNA

Qindra të arrestuar në fabrikën gjigante të Hyundai-t në Georgia, shumica shtetas koreano-jugorë

Ndaje në Whatsapp
Qindra të arrestuar në fabrikën gjigante të Hyundai-t

 Autoritetet amerikane të emigracionit kanë kryer një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji në historinë e tyre, duke arrestuar 475 persona gjatë një bastisjeje në fabrikën gjigante të Hyundai Motor Company në shtetin e Georgias.

Fabrika, e shtrirë në një sipërfaqe prej 3,000 hektarësh, është funksionale prej një viti dhe prodhon makina elektrike. Bastisja u krye mbi dyshime për “praktika të paligjshme punësimi dhe krime të tjera serioze federale”, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare për BBC. Shumica e të arrestuarve janë shtetas koreano-jugorë. Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka reaguar menjëherë, duke shprehur shqetësimin për një shkelje të mundshme të të drejtave të qytetarëve të saj gjatë mbajtjes në paraburgim.

Hyundai Motor Company ka deklaruar se është duke u përpjekur të kuptojë rrethanat e bastisjes, duke theksuar se sipas informacionit paraprak, askush nga të arrestuarit nuk është punonjës direkt i Hyundai-t. Ndërkohë, partneri i kompanisë në ndërtimin e baterive, LG Energy Solutions, ka pezulluar përkohësisht punimet në kantier, edhe pse prodhimi i makinave nuk është ndikuar.

Një zyrtar i Agjencisë Amerikane për Emigracion dhe Dogana (ICE) ka sqaruar se të arrestuarit po mbahen në qendrën e paraburgimit në Folkston, Georgia, derisa të merret vendimi për zhvendosjen e tyre. Ai ka theksuar se operacioni ishte rezultat i një hetimi penal shumëmujor, se nuk pati përdorim të madh force dhe nuk ka raportime për lëndime fizike.
“Ky ishte operacioni më i madh në një vend të vetëm në historinë e hetimeve të sigurisë kombëtare,” deklaroi agjenti special Steve Schrank, duke shtuar se gjithçka u bë me urdhër kërkimi dhe në mënyrë të organizuar, jo si një operacion tipik emigracioni.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan agjentët teksa rreshtonin punëtorët dhe u shpjegonin urdhrin e kontrollit të fabrikës, ndërkohë që komunikonin me disa prej tyre.

Qeveria koreano-jugore ka dërguar diplomatë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar ambasadën amerikane në Seul, duke i kërkuar SHBA-së që të tregojë kujdes ekstrem në trajtimin e qytetarëve të saj. “Aktivitetet ekonomike të kompanive koreane dhe të drejtat e qytetarëve tanë nuk duhet të shkelën padrejtësisht gjatë operacioneve të zbatimit të ligjit në SHBA,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut.

Ky zhvillim pritet të rrisë tensionet mes dy objektivave kryesore të presidentit amerikan Donald Trump – nxitja e prodhimit brenda SHBA-së dhe lufta kundër emigracionit të paligjshëm. Ndërsa Hyundai është një nga investitorët më të mëdhenj në industrinë amerikane të makinave elektrike, me rreth 1,200 punonjës në fabrikën e Georgias, bastisja mund të ndikojë në marrëdhëniet me Korenë e Jugut, një aleat kyç i Uashingtonit.

 

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme