Bota 18 January 2026, 16:22 Nga VNA

Komandanti kurd bën thirrje që SHBA të “ndërhyjë me forcë” në përplasjet në Siri

Ndaje në Whatsapp
Komandanti kurd bën thirrje që SHBA të “ndërhyjë

Komandanti i forcave kryesore kurde i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndërhyjnë më vendosmërisht për t’i dhënë fund ofensivës siriane, e cila ditët e fundit ka marrë nën kontroll territore kyçe nga luftëtarët kurdë, raportoi Reuters.

Trupat qeveritare nisën të shtunën një ofensivë në zona që për rreth një dekadë janë administruar nga autoritete gjysmë-autonome kurde në verilindje të Sirisë. Sipas zyrtarëve dhe burimeve të sigurisë, ato kanë pushtuar qytete në të dy anët e lumit Eufrat, si dhe fushën më të madhe të naftës në vend dhe një fushë gazi.

Komandanti i Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG), Sipan Hamo, tha se një takim të shtunën mes të dërguarit amerikan Tom Barrack dhe zyrtarëve kurdë nuk prodhoi asnjë plan konkret për armëpushim. Ai mohoi se kurdët e Sirisë synojnë shkëputjen apo krijimin e një shteti të pavarur, duke theksuar se e ardhmja e tyre është brenda Sirisë.

“Shpresa jonë më e madhe është që të ketë një rezultat të prekshëm, veçanërisht nga koalicioni dhe Shtetet e Bashkuara – që ata të ndërhyjnë më fuqishëm në problemet ekzistuese sesa po bëjnë aktualisht,” tha Hamo.

Forcat siriane kanë vazhduar përparimin, pavarësisht thirrjes së Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane që të ndalin ofensivën.

Hamo tha se autoritetet kurde e kuptojnë se Uashingtoni tani duhet të balancojë aleancën e tij shumëvjeçare me forcat kurde, të cilat ndihmuan në mposhtjen e Shtetit Islamik në Siri, me mbështetjen e re për qeverinë siriane nën presidentin Ahmed al-Sharaa. Megjithatë, për shkak të “shqetësimeve kurde për ndryshimet që po ndodhin”, SHBA-ja duhet t’u ofrojë atyre garanci mbrojtjeje.

“Në situatën aktuale dhe në kaosin që po jetojmë, të vetmit që mund të ofrojnë garanci janë Shtetet e Bashkuara ose koalicioni,” shtoi ai në një intervistë të rrallë nga provinca Hasakeh, e cila ende kontrollohet nga kurdët.

“Ne besojmë se përgjegjësia për gjithçka që po ndodh aktualisht brenda Sirisë bie mbi vendet perëndimore, dhe veçanërisht mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” theksoi Hamo.

Ai mohoi se YPG-ja po merr mbështetje nga Irani ose Rusia, ndërsa la të kuptohet se shpreson në një ndërhyrje të Izraelit në mbrojtje të kurdëve të Sirisë.

“Sigurisht që Izraelin e konsiderojmë një shtet të fuqishëm në rajon me agjendën e vet. Ne shpresojmë që qëndrimi që disa vende të rajonit kanë mbajtur ndaj minoriteteve të caktuara në Siri të shtrihet edhe ndaj kurdëve,” tha Hamo.

I pyetur nëse i referohej qëndrimit të Izraelit ndaj minoritetit druz verën e kaluar – kur Izraeli kreu sulme ajrore ndaj ministrisë së mbrojtjes, pranë pallatit presidencial në Damask dhe ndaj trupave siriane që avanconin drejt qyteteve druze – Hamo u përgjigj: “Sigurisht.”/Reuters 

 

Video

Ç’të bën vëllai, s’ta bën as opozita.

“A mendoni se po shihni një revolucion këtu?” Kështu i përgjigjet Edi Rama gazetarit amerikan Andrew Callaghan, kur ai e pyet për protestat e lëvizjes “Revolucioni i Flamingove” dhe për qytetarët që kërkojnë ndryshim. Rama thotë se protestuesit kanë të drejtë të dalin në rrugë. Por intervista nuk shkon deri në fund: sipas Channel 5, kryeministri largohet gjatë bisedës, e cila ishte pjesë e një investigimi më të gjerë ku trajtohen edhe raportet e tij me Jared Kushner.

Hajdari i përvishet Veliajt për “çorbën e fantazive”, por për Ramën asnjë fjalë

Në protestë…

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme