Bota 21 February 2026, 20:47 Nga VNA

Sulmet izraelite vrasin të paktën 10 persona në Liban

Ndaje në Whatsapp

Sulmet izraelite vrasin të paktën 10 persona në Liban

Sulmet ajrore izraelite të së premtes mbrëma, kanë vrarë të paktën 10 persona në Libanin lindor, sipas zyrtarëve libanezë, pavarësisht armëpushimit.

Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar vendndodhje që i përkisnin Hezbollahut, një milici dhe parti politike myslimane shiite, në Luginën Bekaa, një zonë ku grupi ka një prani të fortë.

Hezbollahu konfirmoi se të paktën gjashtë anëtarë të tij ishin vrarë, përfshirë një komandant të lartë në terren. Sulmet janë ndër më vdekjeprurëset në Liban që nga përfundimi i luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut në nëntor 2024.

BBC shkruan se pavarësisht marrëveshjes, e cila pasoi 13 muaj konflikt, Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme ndaj Libanit.

Pamjet e postuara online nga një prej vendndodhjeve të goditura të premten në mbrëmje treguan dëme të mëdha në një lagje që dukej banesore.

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se kishte goditur “qendra komanduese të Hezbollahut” dhe se Hezbollahu “i vendos sistematikisht asetet e tij brenda popullsisë civile”. Po ashtu në deklaratë thuhet se aktivitetet e grupit ishin “një shkelje e marrëveshjeve mes Izraelit dhe Libanit”.

Hezbollahu, i konsideruar organizatë terroriste nga vende si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, thotë se marrëveshja e armëpushimit zbatohet vetëm në Libanin jugor, në zonën midis lumit Litani dhe Linjës Blu, kufiri jozyrtar mes Libanit dhe Izraelit.

Atje, ushtria libaneze ka çmontuar infrastrukturën e përdorur nga grupi, në fazën e parë të një plani për çarmatosjen e Hezbollahut pas luftës shkatërrimtare 13-mujore me Izraelin.
Grupi, megjithatë, deri më tani ka refuzuar thirrjet e autoriteteve libaneze për të diskutuar të ardhmen e armëve të tij në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Luginën Bekaa, ku besohet se ndodhet një pjesë e arsenalit të tij.

Këtë javë, Hezbollahu hodhi poshtë një vendim të qeverisë për të avancuar fazën e dytë të planit të çarmatosjes në zonat midis veriut të Litanit dhe lumit Awali, në qytetin port Sidon. Qeveria e Libanit tha se veprimet e vazhdueshme të Izraelit përbënin një shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur sulmet.

Kryeministri libanez Nawaf Salam së fundmi tha se situata ishte kthyer në një “luftë të njëanshme konsumimi”.

 

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme