Bota 24 September 2025, 21:23 Nga VNA

Babai i Elon Musk akuzohet për abuzim seksual ndaj fëmijëve të tij

Ndaje në Whatsapp
Babai i Elon Musk akuzohet për abuzim seksual ndaj fëmijëve

Errol Musk, babai 79-vjeçar i miliarderit Elon Musk, është përfshirë në një skandal të rëndë pas akuzave për abuzim seksual ndaj pesë prej fëmijëve të tij që nga viti 1993. Lajmi është publikuar këtë të martë nga The New York Times, duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet e ndërlikuara brenda familjes Musk. Sipas raportimit të medias amerikane, këto akuza mund të jenë një nga arsyet pse Elon Musk, i cili për një periudhë të shkurtër shërbeu si këshilltar në administratën e dytë të Donald Trump-it, rrallë e përmend publikisht të atin. Megjithatë, sipas familjarëve, ai është përpjekur herë pas here të ndërhyjë për t’i ndihmuar.

Errol Musk i ka mohuar menjëherë akuzat, duke i cilësuar ato si “të rreme”. Në një prononcim për The New York Times, ai tha: “Nuk ka prova sepse kjo është budallallëk. Raportet janë të rreme.” Ndërsa për gazetën The Guardian, ai shtoi se akuzat janë “pa kuptim të plotë” dhe se anëtarë të familjes po nxisnin fëmijët të bënin deklarata të pavërteta me qëllim shantazhi ndaj Elon Musk.

Hetimi i gazetës amerikane, i mbështetur mbi dokumente gjyqësore, letra personale, korrespondenca elektronike, dëshmi të punonjësve socialë dhe intervista me familjarë, tregon se Errol Musk, i cili ka të paktën nëntë fëmijë dhe ka qenë i martuar tri herë, ka ushtruar një ndikim të madh mbi pjesën më të madhe të familjes.

Akuza e parë daton në vitin 1993, kur një e afërme e tij, vetëm katër vjeç, u tha familjarëve se ai e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme në shtëpinë e familjes. Dhjetë vjet më vonë, e njëjta vajzë deklaroi se e kishte parë atë duke nuhatur rrobat e saj të papastra. Përveç këtyre, disa të afërm e akuzojnë gjithashtu për abuzim ndaj dy vajzave të tij dhe një djali nga një lidhje tjetër.

Në vite të ndryshme janë hapur tre hetime ligjore mbi akuzat ndaj Errol Musk. Dy prej tyre përfunduan pa ndonjë veprim të mëtejshëm, ndërsa për të tretin nuk dihet qartë se çfarë ndodhi. Megjithatë, familjarët e tij pretendojnë se çështjet janë shtyrë ose mbyllur pa u trajtuar seriozisht.

Në një intervistë për Rolling Stone në vitin 2017, Elon Musk e përshkroi marrëdhënien me të atin si jashtëzakonisht të vështirë, duke thënë se ai kishte bërë “pothuajse çdo gjë të keqe që mund të mendoni”. Musk kujtoi gjithashtu se që në moshë 10-vjeçare ishte detyruar të kujdesej për babanë, ndërkohë që motrat dhe vëllai i tij më i vogël jetonin me nënën.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme