Bota 4 November 2025, 08:15 Nga VNA

Publikoi videon ku ushtarët abuzonin seksualisht me të burgosurin palestinez, arrestohet ish-avokatja kryesore e IDF

Ndaje në Whatsapp
Publikoi videon ku ushtarët abuzonin seksualisht me të burgosurin

Ish-kryejuristja e ushtrisë izraelite, gjeneralmajorja Yifat Tomer-Yerushalmi, është arrestuar, ndërsa tensionet politike në Izrael thellohen pas rrjedhjes së një videoje që tregon dhunë të rëndë ndaj një të ndaluari palestinez nga ushtarë izraelitë.

Tomer-Yerushalmi dha dorëheqjen javën e kaluar nga posti i Avokates së Përgjithshme të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), duke marrë përsipër përgjegjësinë për publikimin e videos. Të dielën ajo u raportua si e zhdukur, duke shkaktuar një operacion kërkimi disaorësh në një plazh në veri të Tel Avivit. Pak orë më vonë, policia konfirmoi se ajo u gjet gjallë dhe në gjendje të mirë, por menjëherë pas kësaj u arrestua.

Videoja, e transmetuar në gusht 2024 nga një kanal izraelit, tregonte rezervistë në bazën ushtarake Sde Teiman, në jug të Izraelit, teksa merrnin një të ndaluar palestinez dhe e rrethonin me mburoja për t’i bllokuar pamjen kamerave, përpara se ta rrihnin dhe ta torturonin me një objekt të mprehtë. I ndaluari u trajtua për lëndime të rënda.

Pesë rezervistë janë akuzuar për “abuzim të rëndë dhe shkaktim të dëmtimeve serioze fizike”, por ata i mohojnë akuzat. Të dielën, katër prej tyre dolën me maska të zeza para Gjykatës së Lartë në Jerusalem, së bashku me avokatët e tyre, të cilët kërkuan pushimin e çështjes.

Avokati Adi Keidar, nga organizata e krahut të djathtë “Honenu”, akuzoi autoritetet për “proces të gabuar, të njëanshëm dhe të sajuar”.

Ndërkohë, të hënën u zbulua se i ndaluari palestinez në qendër të rastit ishte liruar në tetor dhe dërguar në Gaza, si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit.

Pas rrjedhjes së videos, u nis një hetim penal. Tomer-Yerushalmi u pezullua nga detyra, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të premten se ajo nuk do të rikthehej në post. Menjëherë pas kësaj, ajo dha dorëheqjen, duke thënë në letrën e saj se “merr përgjegjësinë e plotë për çdo material të publikuar në media nga njësia përkatëse”.

Ajo shtoi se kishte miratuar publikimin e materialeve “për të kundërshtuar propagandën e rreme ndaj autoriteteve ligjore të ushtrisë”, duke iu referuar pretendimeve të disa politikanëve të djathtë se akuzat për abuzim ndaj të ndaluarit ishin të sajuara.

Pas dorëheqjes së saj, ministri Katz reagoi ashpër: “Kushdo që shpif kundër trupave të IDF nuk është i denjë të mbajë uniformën e ushtrisë,” tha ai. Kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi incidentin si “ndoshta sulmin më të rëndë ndaj imazhit të shtetit të Izraelit që nga themelimi i tij.”

Pak orë më pas, mediat izraelite raportuan zhdukjen e gjenerales, çka ngjalli frikë për një fund tragjik të skandalit politik. Ajo u gjet më vonë “e sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore” në Herzliya, sipas policisë.

Më vonë, policia njoftoi arrestimin e dy personave nën dyshimin për “rrjedhje informacioni dhe vepra të tjera të rënda penale”. Sipas mediave izraelite, të arrestuarit janë vetë gjeneralmajorja Tomer-Yerushalmi dhe ish-prokurori ushtarak, kolonel Matan Solomosh.

Video

Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia e një kallëzimi penal për kërcënimet që Erion Veliaj pretendoi se iu bënë nga Rama përmes ministrit të Drejtësisë. Ai bëri me dije se për këtë situatë janë njoftuar edhe avokatët e huaj. Ndreca zbuloi se i ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se mbrojtjen ligjore të Veliajt do ta vendosë mbi interesat politike.

Vlora Hyseni ka refuzuar të paraqitet në seancën gjyqësore në Apelin e Posaçëm, ndërsa avokati i saj mbrojtës, Kastriot Selita, ka mbërritur në ambientet e gjykatës. Mësohet se efektivët e policisë janë paraqitur për të shoqëruar Hysenin drejt gjykatës, por ajo ka deklaruar se nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë.

Çfarë pritet të ndodhë në GJKKO? Veliaj refuzon të marrë pjesë dhe kërkon leximin e letrës për takimin me Gogun në burg

Studentët e Universitetit Politeknik kanë ironizuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Mbi disa karrige ata kanë vendosur foto të dhunës policore ndaj të rinjve me mbishkrimin "Diktator". Me këtë akt simbolik, protestuesit kanë shprehur qëndrimin e tyre të prerë ndaj kreut të qeverisë. Megjithëse kryeministri ka përsëritur ftesën për bisedime, studentët mbeten të vendosur në rrugëtimin e tyre. Ata deklarojnë se kërkesa për dorëheqje është e panegociueshme dhe nuk pranojnë kompromis.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme